Aktualitet

Celulari i sekuestruar i Ajola Xoxës, sot seanca e ankimit në GJKKO!

Gjyqtari Erion Bani, i cili la në fuqi “Arrestin me burg” për Erion Veliajn, sot shqyrton ankimin e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa mbi sekuestrimin e celularit, gjatë kontrolleve të fillim dhjetorit të kaluar. Seanca pritet të nisë në orën 13:30 me dyer te mbyllura. Më herët, GJKKO-ja i zbuti masën e sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për paraqitje”.

Ndërkaq, Veliaj iu drejtua Apelit të Posaçëm, duke kundërshtuar vendimin në mungesë të 9 shkurtit, të dhënë nga gjyqtari Bani dhe që i hapi rrugë arrestimit të tij, një ditë më pas, të hënën e 10 shkurtit. U bë e ditur se në Sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesa u dorëzua me postë më 14 shkurt, vetëm nga mbrojtja e Veliajt dhe jo nga bashkëshortja Ajola Xoxa. Sot i shkon Apelit.

Mbrojtja e Veliajt tha se pret zbardhjen e vendimit të 12 shkurtit, në seancën ku kryebashkiaku u mor në pyetje, si dhe iu rikonfirmua arresti në burg, për t’iu drejtuar Apelit të Posaçëm me një tjetër ankim. Erion Veliaj mbahet në qeli me kërkesë të SPAK-ut dhe vendim të GJKKO-së për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode e për pastrim parash, në bashkëpunim.

Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO-ja rikonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë: “Arrestin në burg” për Erion Veliajn e biznesmenin Elman Abule, si dhe “Detyrim paraqitjeje” për ata të ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi. Ende nuk është konfirmuar ekzekutimi i “Detyrimit për paraqitje” ndaj biznesmenit Sokol Kryeziu, i cili rezulton të jetë jashtë vendit.

Sipas SPAK-ut, Veliaj iu dha një mori lejesh ndërtimi biznesmenëve, në kohën kur këta të fundit paguanin fatura të majme kryesisht përmes OJF-ve të Ajola Xoxës, në formë sponsorizimesh të aktiviteteve artistike apo konsulencës ligjore. Aktualisht, Veliaj po mbahet në paraburgimin e Durrësit, aty ku u dërgua menjëherë pas vendimit të dhënë më 12 shkurt nga gjyqtari Erion Bani, i cili rikonfirmoi masën e mëparshme të sigurisë.