Health & Beauty Lifestyle

Çfarë është kërcitja e dhëmbëve dhe cilat janë rreziqet që kjo sëmundje sjell?

Kërcitja e dhëmbëve kur jeni në gjumë, ose siç e quajnë mjekët: bruksizmi, nënkupton një sinjal të emocioneve të ndrydhura. Në këtë artikull do të gjeni arsyet përse shumë njerëz vuajnë nga bruksizmi dhe cilat janë zgjidhjet natyrale.

Çfarë është kërcitja e dhëmbëve gjatë gjumit?

Sipas të dhënave ky është një shqetësim mjekësor që nuk arrihet të zbulohet lehtësisht. Shpesh ata që vuajnë nga kërcitja e dhëmbëve nuk e vënë re një gjë të tillë, vetëm pas një kohe të gjatë fillojnë të ndjejnë simptomat. Një nga simptomat e para është zgjimi me dhimbje të forta të nofullave. Nëse lihet e patrajtuar, kërcitja e dhëmbëve arrin të shkaktojë enjtje të gjendrave limfatike që gjenden në qafë. Gjithashtu kërcitja e dhëmbëve shkakton kriza të forta dhimbjesh në zonën e tëmthave, tension të shtuar në nyjet lidhëse të nofullave, përtypje të keqe të ushqimit, erë të keqe orale. Nëse lihet i patrajtuar ky fenomen mund të përkeqësohet deri në dëmtimit të shëndetit të dhëmbëve por dhe në deformimin e nofullave.

Si mund ta kuptoni nëse jeni të prekur nga kjo sëmundje?

Një nga mënyrat më të thjeshta, është vizita tek dentisti, kështu do të kuptohet dhe gjendja e shëndetit të dhëmbëve. Mosha është një faktor shumë i rëndësishëm, pasi me kalimin e viteve dhëmbët dhe mishërat e dhëmbëve kërkojnë një përkujdesje më të vëmendshme. Kjo vjen si pasojë e një dobësimi natyral të smaltit dhe strukturës së dhëmbëve, si pasojë e konsumimit të tyre gjatë viteve. Kështu dhëmbët janë më të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Vizitat tek dentist arrijnë që të kapin që në fazat e para këtë problem, dhe të fillojnë me trajtimin e tij.

Kërcitja e dhëmbëve e shpjeguar në fushën e psikologjisë

Sipas informacioneve gjithçka lidhet me gjendjen emocionale dhe me stresin të cilin nuk e shprehim. Duke qenë se kërcitja e dhëmbëve është diçka e pavullnetshme, një gjendje e rënduar psikologjike ndikon në përkeqësimin e problemit. Kur jemi në gjumë, nuk arrijmë t’i kontrollojmë emocionet e akumuluara gjatë ditës. Shumë njerëz i përjetojnë përmes ëndrrave, të tjerë si reagime fizike. Emocionet gjatë orëve kur jemi të vetëdijshëm, kanë qenë të shtypura, dhe në momentin kur ne flemë, ato lirohen.

Po nëse i kërcisni dhëmbët gjatë ditës?

Disa personave u ndodh që të kërcasin dhëmbët dhe gjatë ditës, diçka e tillë tregon që problem është më i rëndë. Nëse ju ndodh që t’i kërcisni dhëmbët gjatë ditës, duhet me patjetër të kërkoni këshillën e mjekut.

Çfarë të bëni nëse kërcisni dhëmbët?

Si fillim duhet të kuptoni nëse vuani nga një problem i tillë. Shumë nga ne mund të jenë të prekur por nuk e kuptojnë. Nëse e dyshoni, bëni një vizitë mjekësore. Ne ju këshillojmë që të përzgjidhni me kujdes specialistin që do t’iu trajtojë. Dentisti mund të trajtojë deri në një farë pike dëmtimin e dhëmbëve. Por problemet e brendshme, siç janë shtrembërimi i nofullave që më pas shkakton mos përtypjen e duhur të ushqimit, kanë nevojë për specialist të tjerë.

Mjekët ORL janë ata që mund të përcaktojnë saktë dhe dëmet në lidhjet e muskujve dhe nyjeve në zonën e gojës, nofullave dhe qafës. Nëse ju zgjidhni vetëm problemet e dukshme si shëndeti i dhëmbëve dhe kafshimi i duhur i nofullave, rrezikoheni nga simptomat e fshehura. Këto simptoma lidhen me nervozizmin, krizat e panikut dhe me depresionin. Prandaj është e rëndësishme që të merreni dhe me gjendjen psikologjike. Mundohuni të gjeni një mënyrë për të çliruar emocionet. Mund të merreni me ndonjë sport, aktivitet fizik të çfardoshëm, kështu fokusi i trurit do të zhvendoset dhe trupi do të arrijë të qetësohet.