Netflix ka publikuar trailerin e parë të filmit të ri thriller “Apex”, duke premtuar një histori të mbushur me tension ekstrem dhe lojë psikologjike mes grabitqarit dhe presë. Në qendër të filmit është Charlize Theron, e cila rikthehet në një rol fizikisht dhe emocionalisht sfidues.
Në film luan gjithashtu Taron Egerton, i cili mishëron një vrasës serial të pamëshirshëm. Ngjarja zhvillohet në natyrën e ashpër australiane, ku një grua që kërkon qetësi pas një humbjeje personale e gjen veten të ndjekur dhe të kthyer në objekt gjuetie. Peizazhi i egër shndërrohet shpejt në një arenë vdekjeprurëse, ku çdo hap mund të jetë fatal.
Trailer-i lë të kuptohet se tensioni nis që në minutat e para, ndërsa zëri i personazhit të Egerton zbulon se viktima është vëzhguar për një kohë të gjatë, përpara se të nisë “gjuetia” e vërtetë.
Filmi drejtohet nga Baltasar Kormákur dhe është shkruar nga Jeremy Robbins, të cilët kanë premtuar një përvojë ekstreme për aktorët dhe shikuesit.
Vetë Charlize Theron ka pranuar se “Apex” ishte një nga projektet më të vështira të karrierës së saj, duke theksuar se akrobacitë tejkaluan edhe ato të filmit “The Old Guard 2”.
Xhirova me një gisht të thyer për të përfunduar skena shumë të vështira, në një zonë të largët të Australisë
-ka deklaruar aktorja.
Filmi “Apex” pritet të publikohet në Netflix më 24 prill të vitit të ardhshëm dhe, sipas trailer-it, premton të jetë një nga thriller-ët më të fortë të sezonit.