Gossip Showbiz

Chris Martin thyen heshtjen për skandalin e puthjes – ja çfarë paralajmëroi fansat në koncert!

Chris Martin, vokalisti i grupit të famshëm “Coldplay”, ka reaguar për herë të parë mbi incidentin e bujshëm të “kamerës së puthjes” që ndodhi gjatë një koncerti të tyre në Boston dhe u kthye në një nga videot më virale të verës.

Në atë mbrëmje, kamera projektoi në ekran një çift që po shkëmbenin momente intime, të cilët më vonë u identifikuan nga rrjetet sociale si drejtues të lartë të kompanisë teknologjike “Astronomer”, duke shkaktuar një skandal publik.

Martin kishte shmangur deri tani komentet mbi ngjarjen, por gjatë një koncerti në Hull më 18 gusht, ai nuk ngurroi të fliste me humor për të.

Teksa lexonte pankartat e fansave, këngëtari iu drejtua një admiruesi që kishte qenë i pranishëm edhe në koncertin e Bostonit:

Ti ishe në atë koncert të Bostonit. Faleminderit që u ktheve pas gjithë asaj që ndodhi

-tha ai duke buzëqeshur.

Artisti u shpreh se kamera e famshme, e njohur si “jumbotron” apo “kiss cam”, nuk do të hiqet nga shfaqjet e “Coldplay”.

Jeta ndonjëherë të hedh limonë dhe ti duhet të bësh limonadë. Do të vazhdojmë ta përdorim, sepse është mënyra jonë për t’u lidhur me ju

Megjithatë, ai bëri edhe një paralajmërim me nota humori për publikun:

Nëse nuk jeni gati të bëheni pjesë e lajmeve ndërkombëtare, më mirë shmangni kamerën e puthjes

-tha këngëtari mes të qeshurash.

Ky reagim i Martin ka bërë që rrjeti të shpërthejë sërish me komente, duke treguar se edhe pas skandalit, “Coldplay” nuk ka ndërmend të heqë dorë nga momentet spontane që ndezin atmosferën në koncertet e tyre.