Music Showbiz

Cila artiste e njohur do të prezantojë American Music Awards 2025?

Ylli i muzikës dhe kinemasë, Jennifer Lopez, do të rikthehet në skenën e “American Music Awards” këtë vit, jo vetëm si interpretuese por edhe si prezantuese e mbrëmjes.

Ceremonia do të mbahet të hënën, më 26 maj, në Las Vegas dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në CBS dhe në platformën Paramount+ për shikuesit në ShBA.

Ky është rikthimi i Lopez në rolin e prezantueses së AMAs pas vitit 2015, kur ajo drejtoi për herë të parë këtë event prestigjioz. Jay Penske, CEO i Dick Clark Productions është shprehur se:

Jemi të emocionuar të presim sërish Jennifer Lopez në American Music Awards… Talenti dhe karizma e saj në skenë e bëjnë mikpritësen perfekte për të nisur zyrtarisht verën.

Lopez, e cila ka fituar tre çmime AMA gjatë karrierës së saj – për “Artisten e preferuar pop/rock” në vitin 2003 dhe “Artisten e preferuar latine” në vitet 2007 dhe 2011 – pritet të sjellë një performancë dinamike në natën e madhe.

Kjo ngjarje do të shënojë gjithashtu rikthimin e “American Music Awards” në transmetim të rregullt pas një pauze prej më shumë se dy vitesh, që nga shfaqja e fundit në nëntor 2022 e drejtuar nga Wayne Brady.

Ndërkohë, viti 2025 do të jetë hera e parë që AMA transmetohet në CBS, pas një historie të gjatë me ABC që nga viti 1974.