Wesson, Caliber dhe Shooter: nëse jeni në Shtetet e Bashkuara, ky mund të jetë një emër i zakonshëm tashmë. Në fakt, ka një trend në rritje midis prindërve që u japin fëmijëve të tyre emra që lidhen me armët, ose të paktën emra që lavdërojnë dhunën.
Sipas të dhënave nga Administrata e Sigurimeve Shoqërore, Blade dhe Cannon janë ndër emrat e frymëzuar nga armët që kanë qenë në rritje vitet e fundit. Kjo “mani” amerikane nuk kufizohet vetëm te armët; emrat që i referohen prodhuesve të armëve si Remington, Colt, Ruger dhe Winchester po bëhen gjithashtu gjithnjë e më të popullarizuar. Ky trend arriti kulmin midis viteve 2021 dhe 2022, por ekspertët thonë se nuk ka mbaruar ende.
Pse prindërit bëjnë këto zgjedhje?
Ka interpretime të ndryshme pas dëshirës së prindërve për t’u vënë fëmijëve të tyre një emër të tillë. Në përgjithësi, ata nxiten nga karakteristikat që duan që të ketë fëmija: forcë, rebelim dhe pushtet.
Shumë prej tyre ndikohen gjithashtu nga filmat ose serialet televizive: ekspertët kanë vënë re në veçanti se si referohen imazhet e kaubojve, me emra si Dutton, Stetson dhe Boone.
Një opsion i tretë ka një natyrë politike e kulturore. Sipas një studimi të kryer nga Nameberry, faqja më e madhe e internetit për emrat e foshnjave në botë, prindërit që jetojnë në shtetet republikane kanë më shumë gjasa të zgjedhin emra që referojnë armë zjarri për fëmijët e tyre.
Emrat e armëve i gjej veçanërisht alarmante sepse e shoqërojnë fëmijën tuaj me një instrument shkatërrimi ose vdekjeje, tha Jennifer Moss, themeluese e BabyNames.com.
Ky trend shqetëson shumë ekspertë, të cilët theksojnë se të tillë emra lavdërojnë dhunën në një kontekst të ndjeshëm si Shtetet e Bashkuara. Një aspekt tjetër i theksuar është nevoja për të mos e etiketuar fëmijën tuaj para se të lindë, por për t’i lejuar atij të ndërtojë një identitet të pavarur, edhe nëse mund të bjerë ndesh me atë të familjes.
Kur zgjidhni një emër për fëmijën tuaj, merrni në konsideratë frikën dhe paragjykimet tuaja përpara se t’i ngulitni ato në emër, deklaroi Moss.