Gazeta Panorama ka publikuar pamjet e përpjekjes për arratisje të trafikantit të drogës Arbër Çekaj dhe njërit prej grabitësve të bandës së njohur si “Babagjyshët”
Siç shihet në video, gjithçka ndodh në vetëm pak sekonda.
Çekaj dhe Pjetri arrijnë të zbresin nga kati i tretë i godinës përmes një çarçafi që e kishin bërë gërshetë dhe në duar mbajnë çengela hekuri.
I pari që zbret i ndihmuar nga litari është i burgosuri Fatmir Pjetri, ndërsa pas tij shihet edhe Arbër Çekaj.
Në momentin kur kalojnë rrethimin, dy të burgosurit përballen me një polic, të cilin e godasin me çengel hekuri, por më pas kapen nga policët e tjerë.
PLANI QE DESHTOI
Çekaj, i dënuar me 14 vjet burg për trafikun e 613 kilogramëve kokainë nga Ekuadori, Fatmir Pjetri anëtar i bandës së babagjyshëve dhe i dënuari i tretë Lulzim Çepele kishin disa kohë që kishin planifikuar arratisjen spektakolare nga burgu.
Çepele ka prerë damarët duke tërhequr vëmendjen e rojeve. Në këtë moment, Çekaj dhe Pjetri kanë goditur një oficer dhe kanë tentuar të largohen.
Nga dhoma e ajrosjes, ata kanë përdorur këtë litar dhe çengel për t’u arratisur.
Çarçafët që përdorën dy të dënuarit për të zbritur nga
tarraca dhe çegeli që goditën policin
Fakti që tre të burgosurit kanë arritur të sigurojnë mjetet, ka ngritur dyshimet se brenda këtij plani janë të përfshirë edhe zyrtarë ose gardianë. Drejtoria e Burgjeve duket se nuk ka arritur sigurine e mjaftueshme.
Të dënuarit kanë pritur muajin gusht, pasi në këtë periudhë stafi dhe rojet janë më të reduktuar. Të dënuarit janë kapur nga roja pak metra përpara se të kalonin portën.
Sa i takon dyshimit se në këtë skenar janë të përfshirë zyrtarë të burgjeve, institucionet kanë nisur hetimet.
Ndëkohë, tre të burgosurit janë izoluar dhe nuk do të kenë mundësi komunikimi as me familjarët. Arbër Çekaj, për pak ditë, do të kalonte në një burg të sigurisë së lartë.
ARRESTIMI I ARBËR ÇEKAJ
Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare. Çekaj u dënua nga apeli i GJKKO-së me 14 vite burg pasi kompanisë së tij iu kap një sasi prej 613 kg kokainë në shkurt të 2018-ës në Maminas. Asokohe Çekaj u arrestua në Gjermani dhe një vit më pas është ekstraduar drejt Shqipërisë ku kanë filluar hetimet lidhur me transportin e kokainës.
ARRESTIMI I TË ATIT, SELIM ÇEKAJ
Selim Çekaj përfundoi në prangat e Policisë në muajin prill të këtij viti pasi kompanisë në zotërim të tij iu kap 49 kg kokainë në një kontenjer me banana. E njëjtë metodë trafiku e lëndës narkotike ishte zbuluar më herët ku përfundoi në prangat Arbër Çekaj, djali i 72-vjeçarit. “Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontejner fshi- hej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘MERSIN’.
FATMIR PJETRI PJESË E BANDËS SË “BABAGJYSHËVE”
Edhe Fatmir Pjetri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është pjesë e bandës së “Babagjyshëve” të cilët kanë kryer një vjedhje në një prej qendrave më të mëdha tregtare në Tiranë.
Ai është arrestuar në Holandë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në shtator të 2019-ës. Ndaj tij rëndon një dënim prej 30 vitesh për vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim dhe pjesë e një grupi kriminal.
Pjetri së bashku me bandën e “Babagjyshëve” kanë kryer shumë vjedhje në vendin tonë por ajo që bëri më shumë bujë është grabitja e një argjendarie në një qendër tregtare në kryeqytet në vitin 2013.