Aktualitet

Debate në seancën e GJKKO ndaj Metës dhe Kryemadhit, avokati Cakrani: Nuk ka vepër penale, çështja do bjerë!

Seanca e fundit gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit, u zhvillua me debate të forta.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani, dha detaje nga dinamika e zhvillimeve brenda sallës së gjyqit. Ai deklaroi se gjatë seancës pati mosmarrëveshje me prokurorët, të cilët sipas tij paraqitën akuza të paqarta dhe të pasakta.

“Debati ka qenë për të saktësuar personat dhe vendet, në mënyrë që gjykata të kuptojë për çfarë bëhet fjalë. Deri më sot, as gjykata nuk ka kuptuar gjë,” tha Cakrani, duke shtuar se pala mbrojtëse është detyruar të bëjë sqarime për të qartësuar relacionin e prokurorëve. Ai theksoi se shpesh pas paraqitjes së argumenteve, prokurorët përfundojnë me frazën “ky është mendimi ynë”.

Avokati theksoi se akuzat nuk qëndrojnë dhe nuk ka vepra penale, duke deklaruar se çështja do të bjerë. Ai konfirmoi se në seancën e ardhshme, mbrojtja do të paraqesë pretendimet e saj për papranueshmëri dhe pavlefshmëri të akuzave dhe garantoi se Ilir Meta do të vijojë të jetë transparent ndaj publikut për çdo detaj të çështjes.

LEXO EDHE: Përfundon seanca paraprake, Kryemadhi del nga GJKKO me dosjen e provave: Më në fund i morëm, ka mbi 40 faqe me…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe tre personave të tjerë të akuzuar në të njëjtën çështje.

Gjatë seancës, prokurori i çështjes ka kërkuar dërgimin për gjykim të pesë të pandehurve, duke argumentuar se nga hetimet janë mbledhur prova të mjaftueshme për vazhdimin e procesit në themel.