Dinamo dhe Tirana përballen në sfidën e parë të fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, një kompeticion të cilin të dy skuadrat e kanë objektiv, edhe për faktin që paraqet rrugën më të shkurtër për një vend në garat europiane.
Formacionet zyrtare:
Dinamo (4-3-3): Harizaj; Siljanovski, Sidibe, Imami, Isaevski; Demiri, Haxhiu, Ibraimi; Skuka, Mihana, Chinedu
Tirana (5-3-2): Bekaj; Toshevski, Behiratce, Hoxhallari, Najdovski, Përgjoni; Toli, Limaj, Hoti; Ngo’o, Seferi
Shifra dhe fakte:
– Derbi mes “nëndetëses blu” dhe Tiranës luhet për herë të 18 në fazën me eliminim të Kupës së Shqipërisë dhe në 17 herët e kaluara, në 10 raste është kualifikuar Dinamo e 7 bardheblutë.
– Dinamo dhe Tirana janë përballur plot 5 herë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, aty ku bardheblutë kanë fituar tre herë, duke ngritur trofeun dhe dinamovitët vetëm dy herë.
– Tirana është skuadra që e ka fituar më së shumti Kupën e Shqipërisë, plot 16 herë, kundrejt 13 herëve që këtë trofe e ka ngritur lart Dinamo, teksa të dy ekipet janë pjesë e treshes që kanë triumfuar më së shumti në këtë kompeticion.
– Blendi Shkëmbi do të duhet të bëjë pa qendërmbrojtësin Sofranac, i cili vuan nga një dëmtim dhe përveç sfidës së sotme, është në dyshim edhe për atë të fundjavës, sërish ndaj bardhebluve.
– Dinamo dhe Tirana do të përballen 6 herë këtë sezon, dy sfida në Kupën e Shqipërisë dhe 4 të tjera në kampionat, teksa interesant është fakti që tre nga ndeshjet do të luhen vetëm në muajin nëntor dhe do të jenë radhazi.