Bota Lifestyle Travel

Dëshironi plazh dhe pushime të paharrueshme?! Ju njohim me hotelet më të bukura në botë…

Me një peizazh përballë të oqeanit dhe tingullin qetësues të dallgëve që “përkëdhelin” rërën, këto hotele të mrekullueshme buzë plazhit e bëjnë bashkë natyrën magjepsëse me dizajnin e jashtëzakonshëm dhe janë një zgjedhje perfekte nëse në këtë periudhë ju keni vendosur që të udhëtoni.

 

1. Regina Experimental, Biarritz, Francë

Një hotel i ri që ndodhet mbi Bregun Bask, “Regina Experimental” ndërthur elementet historike të kësaj rezidence mahnitëse në stilin Belle Époque, përfshirë korridorin mbresëlënës Art Deco dhe pianobarin e viteve 1920, me një dizajn të brendshëm të shkëlqyer dhe të rimenduar nga dizajnerja Dorothée Meilichzon, si një homazh për epokën e artë të shkëlqimit të Biarritz-it. Pishina në tarracë ofron një vend veçanërisht mahnitës për të thithur rrezet e diellit në maksimum, ndërsa plazhi aty pranë ofron dallgë të shkëlqyera për adhuruesit e sërfit.

 

2. Hotel La Palma, Capri, Itali

Një rikrijim plot shkëlqim i hotelit të parë të Capri-t, i ndërtuar fillimisht në vitin 1822, “Hotel La Palma”, pjesë e Oetker Collection, është një pasqyrim i gjithçkaje që përfaqëson atë që ne e quajmë ‘la dolce vita’. Ky hotel elegant me 50 dhoma ndodhet pranë Piazzetta-s së famshme të Capri-t, ndërsa “Da Gioia by La Palma”, klubi i tij plot stil, ndodhet po ashtu afër në Marina Piccola, bashkë me një plazh privat për deri në tetë vizitorë, me një shërbim nga një staf i dedikuar. Pishina e rrezatuar nga dielli është e veçantë dhe të krijon atë ndjenjën e qetësisë dhe të rehatisë që kushdo ka nevojë.

 

3. Nihi, Sumba, Indonezi

Nihi është i njohur në mbarë botën për cilësitë dhe mundësinë e një vendi si parajsë, kryesisht falë vendndodhjes së mrekullueshme në ishullin Sumba, në lindje të Bali-t. Këtu ka pafund mundësi për të shijuar Oqeanin Indian, nga sërfi dhe zhytjet nënujore, te xhirot me kuaj në perëndim të diellit dhe yoga në një vend të posaçëm mbi shkëmb që ka pamjen nga plazhi mahnitës Nihiwatu, i gjatë 2.5 kilometra. Pamjet mahnitëse mund të shijohen edhe nga ambientet private për vizitorët, ku hapësirat e jetesës brenda dhe jashtë ofrojnë panorama spektakolare nga vilat e pafundme me pishinat e tyre private.

 

 

4. Lily of the Valley, Saint-Tropez, Francë

Në harmoni me natyrën e qetë, dizajneri Philippe Starck u frymëzua nga Kopshtet e varura të Babilonisë, arkitektura franceze dhe vilat e bukura kaliforniane për të krijuar “Lily of the Valley”. Me një pamje vezulluese drejt Mesdheut, që shtrihet nga kodrat e mbrojtura të zonës Cap Lardier, peizazhi që shfaqet nga çdo cep i hotelit është thjesht unik. Plazhi me rërë si mëndafshi “Plage de Gigaro” ndodhet direkt poshtë hotelit, i cili gjithashtu ofron edhe një hapësirë private në buzë të pyllit me pisha.

 

5. Maroma, hoteli Belmond, Riviera Maya, Meksikë

Riviera Maya është aq përrallore sa një destinacion mund të duket i pabesueshëm, falë përzierjes së xhunglës tropikale me rërën e bardhë të butë përgjatë bregdetit në Karaibet e Meksikës. Maroma, një hotel Belmond, është një strehë e mrekullueshme, dizajnuar në nder të stilin tradicional Maya, modelet artizanale dhe mjeshtërinë lokale, duke përdorur materiale vendase në të gjitha dhomat, suitat dhe vilat. Ylli i vërtetë i kësaj përvoje, megjithatë, është plazhi privat madhështor dhe segmenti i lavdishëm i pamjes si në parajsë që hoteli zotëron.

6. Cap Rocat, Mallorca

Hoteli madhështor “Cap Rocat” në Mallorca ndodhet brenda një fortese antike mbresëlënëse, në një vend të izoluar mbi Gjirin e Palmës. Një vend i përkryer për qetësi absolute, ku arkitektura prej guri ranor hapet drejt pamjeve të pafundme, pishinave ngjyrë smeraldi dhe tarracave plot hijeshi, prej nga mund të admirohet idili mesdhetar. Dhomat janë të dekoruara me tone natyrale dhe qetësuese, por për një përvojë unike pranë detit, zgjidhni Suite del Mar, me kopshtin e saj privat të mbushur me lule bugenvillea dhe një pishinë private përballë pamjes unike.

7. Borgo Santandrea, Amalfi, Itali

I vendosur rreth 90 metra mbi Detin Tirren, Borgo Santandrea është një vend magjepsës dhe elegant në bregdetin legjendar të Italisë së Jugut. Hoteli krenohet me një plazh privat me gurë të bardhë, i vetmi i këtij lloji në të gjithë Bregun e Amalfit, të cilin mund ta arrini përmes një shëtitjeje mes kopshteve të lulëzuara ose me ashensor direkt nga maja e hotelit.

Me pamje mahnitëse nga deti dhe fshati plot bukuri Conca dei Marini, hoteli ofron gjithashtu tre restorante, një pishinë të jashtme me ujë të kripur, një mol dhe një varkë private. Dhomat dhe suitat janë të dizajnuara individualisht, duke kombinuar mjeshtërinë vendase me stilin mid-century dhe antik, një përjetim që mishëron tërësisht’ la dolce vita’.

8. The Wild, Mykonos, Greqi

Në kundërshtim me emrin e tij, ‘The Wild” (i egër) është një destinacion i qetë dhe i izoluar, me një elegancë të thjeshtëzuar, në ishullin më të gjallëruar të Greqisë. Duke ofruar një përvojë të vërtetë dhe të veçantë, hoteli ka një plazh privat me çadra prej palme dhe shezlongë përgjatë ujërave të kaltërta, si dhe një pishinë infinit me pamje drejt Detit Egje.

Dizajni i tij përfaqëson luksin e ishullit, me çdo dhomë, suitë dhe vilë të dekoruar me tone dhe materiale të veçanta, të theksuara nga një përzgjedhje elegante antikesh, objektesh artizanale, pambuku të lehtë dhe liri.

9. 1 Hotel Hanalei Bay, Hawaii, SHBA

Një oaz përballë oqeanit në bregun verior të ishullit Hawaii, mes maleve të gjelbërta, ujëvarave dhe kopshteve tropikale, 1 Hotel Hanalei Bay ofron një pamje të pakrahasueshme. Duke mishëruar spektaklin natyror që e rrethon, fokusi kryesor i hotelit është lidhja e tij me natyrën, me suita të dizajnuara me shumë kujdes dhe bukuri, të cilat ofrojnë një vend të paharrueshëm përballë plazhit ikonik të Hawaii-t.

 

10. Joali, Ishulli Muravandhoo, Maldive

Joali është një parajsë tipike në Ishullin Muravandhoo, ku vilat qëndrojnë mbi Oqeanin Indian me pamje unike mbi Atollin Raa, një nga ‘atoll’-et më të mëdha dhe më të thella në botë. Plazhet këtu janë të përsosur, me rërë të butë që rrethohet nga palmë kokosi dhe lagunat me nuanca të ndryshme blu. Por Joali nuk kënaqet vetëm me mrekullitë natyrore përreth. Ai është projektuar në bashkëpunim me artizanë vendas dhe artistë të njohur ndërkombëtarisht, duke krijuar një destinacion artistik ku deti dhe rëra takohen me kulturën dhe kreativitetin, duke sjellë një pasqyrim të arkitekturës dhe mjeshtërisë në Maldive.

 

11. Cobblers Cove, Barbados

Një nga zgjedhjet që nuk do të zhgënjeheshit kurrë, kjo vilë mbresëlënëse me ngjyra të buta, e ndërtuar në vitet 1940, është një strehë me 40 suita në bregun perëndimor të ishullit. Dizajnerët ëndërrimtarë të Cobblers Cove kanb arritur të ndërthurin glamurin klasik, me mure rozë të gjallë të balancuara nga druri i bardhë, nuanca qetësuese të kaltër dhe jeshile, çarçafë me printime dhe gjelbërimi nga kopshti tropikal përreth. Magjia vazhdon në plazhin me rërë si mëndafshi, ku çadrat me shirita ngjyrash të ëmbla rreshtohen pranë oqeanit të kristaltë të rrethuar nga palma.