Aktualitet

Dhunohet punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Vlorës, autori avokat!

Një punonjës sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë u dhunua gjatë ditës së sotme nga një avokat. Ngjarja ndodhi në hyrje të gjykatës, në zonën ku kalojnë personat përmes detektorëve të metaleve.

Sipas burimeve, avokati Redi Llanaj ka kërkuar të hyjë në pjesën ku kontrollohet nga pajisja që mbajnë rojet për metalet, por është penguar nga punonjësi i sigurisë. Pas debatit verbal, situata degjeneroi në dhunë fizike ndaj punonjësit të gjykatës.

Menjëherë pas incidentit, avokati u shoqërua në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime mbi ngjarjen.

Pas vrasjes tronditëse në Gjykatën e Apelit Tiranë të gjyqtarit Astrit Kalaja, më 6 tetor ka një shqetësim në rritje lidhur me masat e sigurisë në gjykata. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka nisur disa takime me drejtues të institucioneve të drejtësisë, në kuadër të një konsulte në lidhje me masat që duhen marrë.

Sot në Presidencë ishte edhe drejtuesi aktual i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.

Teksa dje 260 gjyqtarë u bënë bashkë në një mbledhje urgjente pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke kërkuar më shumë siguri, komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci sot ishte në mjediset e Gjykatës së Posaçme.

Zereci zhvilloi një takim me kryetarin e komanduar të GJKKO-së, Erion Banin, si edhe kreu një inspektim në ambientet Gjykatës së Posaçme, por edhe të SPAK-ut. Prej vitit 2023, perimetri i jashtëm i GJKKO-së e SPAK-ut ruhet nga Garda e Republikës, pasi konsiderohen institucione të rëndësisë së veçantë.

Një ditë më parë, Bani kërkoi inspektime në të gjitha ambientet e gjykatave. Ai deklaroi se duhet të evidentohet çdo problematikë, deri te pyetja e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave për çdo shqetësim apo problematikë që mund të hasin gjatë ushtrimit të funksioneve përkatëse.