Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi sot se fletët e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit do të mbërrijnë në Europë nga data 15 deri më 22 prill. Ndërkohë Celibashi informoi se në kontinentet e tjera fletët e votimit do të mbërrijnë nga data 15 deri më 25 prill.
Celibashi ndau në rrjetet sociale një udhëzues mbi procedurën e votimit të shqiptarëve jashtë vendit, ku përfshihen këshillat kryesore mbi hapat që duhen ndjekur.
Pasi ta merrni, dërgojeni fletën e votimit në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Nuk do të shpenzoni asgjë. Posta paguhet nga KQZ. Mos e vononi, çdo ditë është e rëndësishme që vota juaj të mbërrijë në kohë. Zëri juaj ka rëndësi”, u shpreh Celibashi.
Udhëzuesi i hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rekomandon që pasi të merret zarfi me fletën e votimit, zgjedhësi ta konfirmojë marrjen e zarfit postar në platformën PER. KQZ-ja rikujton se nuk mund të votohet për një parti apo koalicion dhe njëkohësisht për kandidatin enjë partie apo koalicioni tjetër.
Numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245 mijë e 935 zgjedhës, ndërkohë që në total brenda dhe jashtë vendit, të drejtën e votës e kanë 3 milion e 713 mijë e 761 shtetas shqiptarë. Ndër ta, 114 mijë e 642 zgjedhës votojnë për herë të parë.