Showbiz

Diddy bëri kërkesën e papritur pak para seancës së dënimit?

Reperi i njohur Diddy ka paraqitur një kërkesë të re për lirim me kusht, pak para seancës së dënimit që pritet të zhvillohet më 3 tetor.

Sipas TMZ, avokatët e tij Mark Anifillo dhe Tenny Geragos kanë dorëzuar një propozim të ri duke pretenduar se klienti i tyre po mbahet padrejtësisht në paraburgim.

Ekipi ligjor argumenton se Diddy është “i vetmi person në Amerikë që mbahet në burg sepse punësoi eskorta meshkuj për marrëdhënie me të dashurën e tij”.

Ata theksojnë se ngjarjet e përfshira ishin pjesë e një jete private konsensuale në stil “swinger”, ku merrnin pjesë reperi, ish-partnerja e tij Cassie Ventura dhe një grua tjetër.

Sipas avokatëve, Diddy nuk ka pasur kontakt seksual me eskortat meshkuj dhe aktet kanë përfshirë vetëm të rritur profesionistë.

Reperi u dënua për shkelje të Aktit Mann, ligj federal që ndalon trafikimin e personave për qëllime imorale. Mbrojtja thekson se shumica e të dënuarve për raste të ngjashme lirohen në pritje të vendimit përfundimtar, duke argumentuar se rasti nuk përbën rrezik për publikun dhe se qëndrimi në burg është i pajustifikuar.

Megjithëse u lirua nga akuzat më të rënda për organizim kriminal dhe trafikim, Diddy vazhdon të mbahet në burg pasi gjykatësi vlerësoi se ai përbën rrezik për shoqërinë, duke iu referuar disa incidenteve të dhunshme nga e kaluara. Vendimi për kërkesën e re për lirim pritet të merret përpara seancës së tetorit.