Health & Beauty

Dieta e preferuar e shumë prej jush po vihet seriozisht në pikëpyetje nga studiuesit, por përse?

Pavarësisht nëse po i bashkoheni trendit të agjërimit me ndërprerje, po punoni gjatë drekës apo po anashkaloni mëngjesin, të qëndroni shumë gjatë pa ngrënë midis vakteve mund të ketë pasoja serioze. Ushqimi ndihmon në fuqizimin e çdo sistemi në trupin tonë, kështu që pothuajse çdo pjesë e trupit tuaj ndikohet kur anashkaloni një vakt ose agjëroni.

Agjërimi me ndërprerje është kthyer në një nga mënyrat më të përhapura për të rënë nga pesha, disa e përdorin si dietë afatshkurtër, të tjerë e kanë bërë pjesë të stilit të jetesës. Por një studim i ri sugjeron se kjo metodë e famshme nuk është aspak më efikase sesa thjesht të zvogëlosh marrjen ditore të kalorive.

Sipas një meta-analize të publikuar në prestigjiozen British Medical Journal (BMJ), studiues ndërkombëtarë analizuan rezultatet e 99 provave klinike të rastësishme, me mbi 6,500 të rritur, mesatarisht 45 vjeç. Konkluzioni ishte se përfitimet e agjërimit me ndërprerje janë “të parëndësishme” kur krahasohen me një dietë klasike me reduktim kalorish.

Në studim u krahasuan disa forma të agjërimit; dritarja 8-orëshe, dieta 5:2 (pesë ditë ushqim normal dhe dy ditë kufizim të madh kalorik), si edhe agjërimi me ditë alternative. Rezultatet treguan se vetëm agjërimi me ditë alternative pati një efekt paksa më të theksuar, me rreth 1.29 kg humbje peshe shtesë krahasuar me dietat e zakonshme. Por edhe ky rezultat nuk arriti pragun minimal të konsideruar klinikisht domethënës, 2 kilogramë.

Ngrënia me ndërprerje, teknika e modës e dietës e favorizuar nga të famshmet si Jennifer Aniston, Kourtney Kardashian dhe Gwyneth Paltrow, mund të jetë në të vërtetë e pashëndetshme. Kjo është ajo që zbuloi një studim i fundit pas ekzaminimit të efekteve të dietës popullore, në të cilën njerëzit e kufizojnë ngrënien e tyre në një periudhë të kufizuar kohe gjatë ditës. Hulumtimi, i publikuar në International Journal of Epidemiology, gjurmoi zakonet e të ngrënit të më shumë se 103,300 të rriturve (79% e të cilëve ishin gra) për një mesatare prej shtatë vjetësh.