Aktualitet Politikë

Diskutime mbi strukturën e re të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë!

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi sot ka ftuar në një takim konsultues shefat e grupeve parlamentare për të diskutuar mbi formimin e organeve të reja të Parlamentit. Takimi zhvillohet në orën 11:00 dhe në fokus ka përzgjedhjen e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.

Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare, sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku edhe zbuloi kabinetin e ri qeveritar.

Plani i maxhorancës parashikon që ditën e nesërme, Kuvendi të mblidhet paradite për ngritjen e Këshillit të Mandateve dhe pasdite të votojë rregulloren e re e përbërjen e komisioneve. PS-ja ka mbajtur 7 komisione dhe opozita 4, duke e përjashtuar këtë të fundit nga Komisioni për Integrimin Europian, një strukturë që demokratët e konsiderojnë “strategjike”. Por, opozita nuk i ka votat për të bllokuar ndryshimet, të cilat miratohen me 71 vota.

Pas ristrukturimit të Parlamentit, Kuvendi do të zhvillojë një debat dy-ditor të enjten dhe të premten, për programin qeverisës e përbërjen e kabinetit “Rama 4”.

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS-së:

Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes

Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Evropa dhe Punët e Jashtme

Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD-së:

Edukimin, Shkencën dhe sportet

Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale

Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik

Kulturën, Turizmin dhe Diasporën