Aktualitet Politikë

Partia Socialiste nis reformën në Kuvend!

Me konstituimin e Parlamentit të ri dhe zgjedhjen e Niko Peleshit në krye të këtij institucioni, socialistët “përveshin mëngët” për t’i dhënë drejtim agjendës së tyre politike. Porosia e Edi Ramës, e shprehur në Asamblenë Socialiste të dy ditëve më parë për të reformuar Kuvendin, pritet të vihet në zbatim që nga e hëna e 15 shtatorit kur në Kryesinë e Kuvendit, Peleshi të presë drejtuesit e grupeve parlamentare.

Ftoj kryetarët e grupeve parlamentare për një takim ditën e hënë, në datë 15 shtator, ora 11:00 në Kryesinë e Kuvendit, për të diskutuar dhe dorëzuar propozimet e tyre.

Më shumë se dëshirë për dialog, ftesa ngjan si kortezi, pasi agjenda e ditëve në vijim tregon se socialistët e kanë ndarë mendjen për të ndryshuar numrin e komisioneve të përhershme kuvendore, si dhe drejtimin e tyre.

Për ta bërë realitet shtimin e nga 8 në 11, duhet ndryshimi i Rregullores se Kuvendit, ndaj të martën, maxhoranca ka parashikuar mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve për të shqyrtuar dokumentin ku shkruhen rregullat e bashkëjetesës politike në Parlament. Në të njëjtën ditë, projekt-vendimi për ndryshmin e komisioneve kuvendore do i kalojë seancës plenare që pasditen e 16 shtatorit do të thirret për të votuar me procedurë të përshpejtuar Rregulloren dhe strukturën e re të Kuvendit.

Teksa socialistët i kanë idetë e qarta, duket se sërish demokratët do t’i imponohen forcës së kartonit të shumicës qeverisëse pasi me ndryshimin e komisioneve do të humbasin edhe një nga asetet e betejës politike, Komisionin e Integrimit, që do të shkrihet me të Jashtmin.

Me të mbyllur punën me komisionet, radha i vjen kabinetit “Rama 4”. Konferenca e Kryetarëve që pritet të thirret të mërkurën do të përcaktojë kohën e debatit për qeverinë e re dhe programin e saj në dy seanca maratonë. Më votimin e qeverisë së re pasditen e së premtes, pritet që kabineti i ri t’i drejtohet Presidencës për t’u betuar me dorën në Kushtetutë, para Kryetarit të Shtetit./Top Channel