Dita e 37-të e luftimeve në Ukrainë! Sot do të ketë sërish një përpjekje për të evakuar civilë nga Mariupoli, në jug të vendit. Në qytetin që mbahet i rrethuar nga rusët janë 45 autobusë të vënë në dispozicion për qytetarët që duan të largohen përmes Berdyansk-ut fqinj, bashkë me një ekip të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ditë më parë u dha alarmi se furnizimet po shkonin drejt fundit për 170 mijë vetë të bllokuar në Mariupol.
Presidenti ukrainas, Zelensky jep alarmin se rusët po grumbullojnë forcat në afërsi të Mariupolit. Situatën e përshkruan si “jashtëzakonisht të vështirë”. Zelensky paralajmëron beteja të mëtejshme, për të arritur atë që duhet. Sipas tij, në shënjestër të armiqve është edhe Donbasi e vë në dukje se kjo përbën një taktikë të tyre. Largohen nga zonat ku luftohet, për t’u përqendruar në të tjera, shumë më të rëndësishme dhe që për ukrainasit kërkon vështirësi.
Kievi akuzon forcat ruse se konfiskuan 14 tonë ndihma humanitare: ushqime e ilaçe, të destinuara për civilët në Melitopol, mes Mariupolit e Krimesë. Lajmin e bën të ditur zv.kryeministrja Iryna Vereshchuk. Ndihmat transportoheshin me autobusë të ndryshëm, që gjithashtu ishin vënë në dispozicion për evakumin e qytetarëve drejt Zaporizhzhias.
Orët e fundit u shënua një sulm ukrainas në Rusi, ku në Belgorod, helikopterë të ushtrisë së Ukrainës sulmuan një depozitë nafte dhe 8 serbatorë u përfshinë nga zjarri. Ministria ruse e Emergjencave dërgoi në vendngjarje 170 zjarrfikës e mjete të shumta, për të vënë nën kontroll flakët që janë të përmasave të mëdha. Banorëve të zonës iu kërkua të largohen nga banesat.
Lajmi i rëndësishëm është edhe largimi i ushtarakëve rusë nga Çernobili, zonë ku ndodhet centrali bërthamor e që e mbanin të pushtuar prej 24 shkurtit, kur nisi pushtimi i Ukrainës. Në një njoftim zyrtar të kompanisë që merret me drejtimin e tij, thuhet se “nuk ka më të huaj në centralin bërthamor”.