Sot, në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth Ditës Ndërkombëtare të Buzëqeshjes ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike psikologu i njohur Edmond Dragoti. A janë shqiptarët një popull i lumtur? A kemi ne një model social të shembullt dhe cila është rruga për ta patur? Për më shumë na flet vetë psikologu…
Natyrisht lumturia është në kërkim të vazhdueshëm, është e vështirë të themi se ai person është i lumtur, lumturia është vetëm një moment pra është një përpjekje për të qënë i lumtur. Faktorët janë të shumtë që ndikojnë tek lumturia jonë, ashtu siç e the edhe ti, duke qenë dita e buzëqeshjes, buzëqeshja është një nga gjërat më të veçanta në jetën tonë. Buzëqeshja është terapi dhe lumturia përmban çaste të caktuara. Lumturia është një grumbull çastesh. Në shumë raste, njeriu e krijon vetë mundësinë për të qenë i lumtur, për t’i buzëqeshur kohës kur është një ditë me shi, për t’i buzëqeshur realitetit, jetës, pra mund t’i bëjë terapi vetes. Buzëqeshja është një element shumë i rëndësishëm, edhe kur të dalim në pasqyrë i buzëqeshim vetes dhe e shikojmë botën me ngjyra.
Prezantuesja e emisionit Ksenja Shoshaj e vë theksin se lumturia ditët e sotme barazohet edhe në mirëqenien ekonomike. Por ka disa teori të tjera që e hedhin poshtë këtë. Cilat janë këto momentet e tjera që ndikojnë në lumturinë tonë sipas psikologut?
Njeriun nuk e bën të lumtur as paratë, as të ardhurat. Në radhë të parë janë marrëdhëniet me njerëzit, qoftë në shtëpi, me njerëzit e dashur, qoftë në shoqëri, qoftë në rrugë. Ne komunikojmë edhe me mimikë, me sy, me pamje, me lëvizjen e trupit. Në çdo moment ne japim dhe marrim emocione. Nëqoftëse japim emocione pozitive edhe ne do të marrim emocione të kësaj natyre. Shoqëria, prania e tjetrit na bën të vlerësojmë veten, të ndihemi të rëndësishëm.
Po për emocionet negative, çfarë na bën ne të jemi agresivë?
Na bën agresivë dalja e situatës jashtë kontrollit, shfaqet në momente që ne nuk e kemi situatën në kontroll, po ashtu edhe dështimet e herë pas hershme, mungesat, kur na mungojnë gjërat tona. Këta stresorë na krijohen dhe krijohen situata të pakëndshme. Duhet t’i shmangemi sa më shumë dhe nuk do të krijojmë situata të tilla.
Po ne sot a kemi një model social të shembullt dhe sa e vështirë është rruga drejt këtij modeli?
Edmond Dragoti vijon:
Shoqëria përbëhet nga individë dhe nëqoftëse ne nuk respektojmë njëri-tjetrin në çdo moment, nëqoftëse nuk jemi të plotësuar në shumë aspekte, në punë, të ardhurat, në shoqëri, nuk jemi në një mjedis pozitiv, atëherë do kërkojmë të largohemi të ikim nga mjedisi. Kënaqësia e jetës varet edhe nga shoqëria, sa na vlerësojnë, sa të rëndësishëm jemi. Kur respektohen vlerat e njeriut, ja vlen të përpiqesh, të marrësh dhe të japësh.
Ndërkohë, po vetë Edmondi a është i lumtur dhe a i ka gjetur motivet e duhura për të qenë i lumtur?
Jam gjithmonë në kërkim të lumturisë por jam i kënaqur në shumë aspekte të tjera sepse i shikoj ato pozitivisht. Mund ta shikosh bardh e zi por edhe me ngjyra. Kur çohesh në mëngjes, nëse i thua ditës mirëmëngjes, atëherë ajo ditë do të shkojë mbarë. E kemi ne në dore për të rregulluar gjithçka.