Në Lushnjë, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e ri të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pranë stadiumit të qytetit, duke e shkrumbuar plotësisht.
I ndërtuar tre vite më parë nga bashkia, tregu i djegur ishte kthyer në pikë të rëndësishme tregtimi për banorët e zonës, ku çdo ditë ushtronin aktivitetin e tyre mbi 50 tregtarë e punonjës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët ranë rreth orës 03:30 të mëngjesit e dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por dyshohet se gjithçka nisi nga një shkëndijë elektrike në sistemin e ndriçimit gjatë natës.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë për neutralizimin e flakëve, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat.