Presidenti amerikan zgjeron fushatën e proteksionizmit tregtar në sektorin e metaleve. Donald Trump tha se do të vendoste tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, duke zgjeruar konfliktet tregtare në sektorin e metaleve, në një shpërthim të ri proteksionizmi nga Uashingtoni.
Përveç masave për produktet e çelikut dhe aluminit, Trump deklaroi se më vonë gjatë javës do të zbulonjë tarifa të reja reciproke, që synojnë importet nga një gamë e gjerë vendesh që vendosin taksa mbi eksportet e SHBA-ve.
Tarifat e premtuara për çelikun dhe aluminin vijnë pasi Trump ka nisur mandatin e dytë me një politikë tregtare agresive, që ka tronditur tregjet valutore globale, ka ngjallur frikën e një shpërthimi të ri të inflacionit të SHBA-ve dhe synon partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës.
Kanadaja, Kina dhe Meksika janë eksportuesit më të mëdhenj në SHBA të produkteve të çelikut dhe aluminit, por taksat e propozuara të Trump-it, potencialisht do të synojnë vendet nga Brazili në Gjermani e Korenë e Jugut.
Për importet e metaleve, tarifat janë mbështetur nga disa sindikata amerikane, si dhe prodhues vendas, por ato rrezikojnë të rrisin kostot e lëndëve të para për një gamë të gjerë prodhuesish amerikanë. Në vitin 2023, Amerika importoi 82.1 miliardë dollarë çelik dhe hekur e 27.4 miliardë dollarë alumin, si edhe eksportoi 43.3 miliardë dollarë çelik e hekur dhe 14.3 miliardë dollarë alumin.
Duke iu përgjigjur premtimit të Trump-it për tarifat e çelikut dhe aluminit, Komisioni Europian tha:
Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punëtorëve dhe konsumatorëve europianë nga masat e pajustifikuara.
Trump synoi industrinë e metaleve gjatë mandatit të tij të parë, duke vendosur një tarifë 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, përpara se të jepte përjashtime për disa partnerë tregtarë, përfshirë Kanadanë e Meksikën. BE-ja u kundërpërgjigj ndaj tarifave të Trump-it në vitin 2018 për metalet, duke vendosur taksa mbi një sërë importesh amerikane, përfshirë uiski bourbon, motoçikleta Harley-Davidson dhe varka me motor.
Më vonë, Biden arriti një marrëveshje me BE-në, duke zëvendësuar tarifat me një sistem kuotash, por që gjithashtu lejoi rivendosjen e tarifave këtë vit, nëse bisedimet midis palëve nuk arrinin të bënin përparim.
Pas planit të fundit të tarifës për metalet, sot dollari u rrit me 0.1 % kundrejt një shporte valutash duke përfshirë euron, jenin dhe paundin. Alumini i tregtuar në bursën e metaleve të Londrës u rrit me 0.4% në 2,639 dollarë për ton.
Aksionet e prodhuesve të çelikut të Koresë së Jugut Hyundai Steel dhe Posco Holdings ranë përkatësisht 2% dhe 0.8%, duke nënperformuar indeksin e standardit Kospi. Aksionet e ArcelorMittal-it, një nga prodhuesit më të mëdhenj të Europës, ranë 2.5%.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se “kompanitë e vendit të tij kanë investime të rëndësishme në industrinë e çelikut në SHBA, duke krijuar mijëra vende pune si në SHBA ashtu edhe në Australi”. Amerika trefishoi tarifat për çelikun kinez vitin e kaluar, ndërsa BE-ja nisi një hetim antidumping për produktet kineze të çelikut, të veshura me kallaj. Meksika dhe Brazili gjithashtu ngritën tarifat.
Premtimi i fundit i Trump-it vjen pasi Shtëpia e Bardhë është zotuar të bllokojë marrjen e US Steel-it nga Nippon Steel, pas vendimit të Joe Biden-it për këtë çështje. Por, Trump-i ka thënë se tarifat do ta bëjnë US Steel-in shumë të suksesshëm.
Aksionet e Nippon Steel-it, sot ranë 0.4% në Tokio. Trump nuk tha se si synonte saktësisht të zbatonte tarifat reciproke, që premtoi të shpallte në ditët në vijim.
Shumë thjesht. Nëse ata na taksojnë, edhe në bëjmë të njëjtën gjë.