Rajoni

Drafti i Asociacionit do të dorëzohet direkt në Bruksel

Projekt-statuti i Asociacionit të Komunave Serbe do të dorëzohet direkt në Bruksel nga ekipi menaxhues për hartimin e tij, por nuk saktësohet koha se kur pritet të ndodhë kjo. Lajmin e bën të ditur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë.  Dokumenti u kthye një herë mbrapsht nga Zyra e Kryeministrit për shkak se ishte në serbisht dhe duhej të përkthehej në shqip.   Sapo të përkthehet do të procedohet në instancat përkatëse. Në Bruksel, Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Kryediplomates Europiane Federica Mogherini, tha se “Ekipi menaxhues kishte 4 muaj kohë për hartimin e projektstatutit të Asociacionit të Komunave Serbe”. Në kohën kur ky ekip e informon Brukselin për rezultatet e punës, vetëm atëherë kjo do të diskutohet në takimet e nivelit të lartë mes presidentëve të Kosovës e Serbisë, që zhvillohen në kryeqendrën europiane me ndërmjetësimin e BE-së.