“Ligj kriminal” dhe “kancer për Shqipërinë” e konsideron pastori Akil Pano projektligjin për barazinë gjinore që sot pritet të votohet në Kuvend. Organizator i protestës para Parlamentit, Pano u shpreh:
Eshtë rast unikal që maxhoranca politike e një vendi tradicional si Shqipëria hedh një projektligj për ta votuar, në kundërshtim me vullnetin e votuesve të saj. Eshtë kundërshtuar nga 98 % e shqiptarëve. Shqipëria po përballet me këtë ligj kriminal, një kancer që synon të ndryshojë jo vetëm perceptimin për gjininë, por edhe gjuhën e shkrimit, ligjit, diplomave, dokumenteve, tualetet neutrale në shkolla. Eshtë ndërhyrje kirurgjikale e thellë.
Pano thekson se ky është një ligj i censurës, se ka nen për sanksione nga gjoba të rënda e deri në burgosje. Sipas tij, drafti nuk ka lidhje me barazinë, por me ripërkufizimin e gjinisë.
Ky është ligj i censurës, që na kthen tek agjitacioni e propaganda. Gjuha me ndjeshmëri gjinore nënkupton se çdo qytetar dhe përfaqësues e njeri fetar nuk mund të jenë të ndershëm, me lirinë e besimit e fjalës, në të kundërt do të përballen me sanksione, nga gjoba deri te burgimi se kanë futur nenet e gjuhës me ndjeshmëri gjinore.
Nëse pas miratimit të këtij ligji, unë them se ekzistojnë vetëm dy gjini, kjo gjuhë quhet diskriminuese për komunitetin LGBT. Ka një nen për sanksionet që fillojnë me gjoba të rënda 1 milion lekë të vjetra e deri në burgosje. Kemi të bëjmë me një shoqëri kontrolli e censure, ku njerëzve u rrezikohet liria e besimit, ndërgjegjes dhe fjalës.
Akoma më shqetësues për Panon është neni për ideologjizimin e fëmijëve.
Kemi nenin për ideologjizimin e fëmijëve. I gjithë zinxhiri parauniversitar, nga kopshte e shkolla do të dëgjojnë ideologji nga grupet LGBT dhe ndryshimin e transformimin e kurrikulave, në përputhje me këtë ligj. Djemtë në shkolla do të dëgjojnë që mbase janë vajza të burgosura në trupat e djemve.
Në këtë ligj emetohet si gjini e shumëfishtë e ndërthurur edhe gjithëpërfshirësi, pra që nuk është me natyrë biologjike, por konstrukt social dhe kjo do t’u mësohet fëmijëve. Kemi të bëjmë me barazinë gjinore në sport dhe lejimin e transgjinorëve në sport.
Ai e quan spekulim se miratimi i këtij ligji është kusht për anëtarësimin në BE dhe thotë se vetëm dy vende të unionit e kanë atë.
Eshtë spekuluar shumë me idenë se është kusht për t’u bërë vend anëtar i BE-së. Janë vetëm dy vende në BE që e kanë këtë ligj, Gjermania dhe Malta. 25 vende të tjera e njohin gjininë në binaritetin mashkull- femër.