Për motin në qarkun e Korçës, autoritetet raportojnë normalizim të gjendjes. Sot fillon dhe shpërndarja e ndihmave të magazinuara nga Rezervat e Shtetit për familjet e prekura nga përmbytjet, me banesa të dëmtuara rëndë. Në aksin Boboshticë-Dardhë, rrugët po pastrohen nga dëbora. Reshjet nuk janë intensive e situata paraqitet pa problematika.
Informacioni zyrtar deri në orën 09:30:
Bashkia Korçë:
Në aksin Boboshticë-Dardhë kanë nisur reshjet e borës, kontraktori vijon punën për pastrimin e rrugës. Situata paraqitet pa problematika.
Bashkia Kolonjë:
Situata vijon drejt normalizimit. Është ndërhyrë në Tac Poshte për largimin e ujërave nga parcelat. Në fshatin Qinam u krye devijimi i lumit për mbrojtjen e këmbëve të urës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Rurale, Qarku Korçë. Gjatë natës ka patur reshje, të cilat në zonat mbi 1500 m ishin në formë bore.
Bashkia Maliq:
Niveli i lumit Devoll ka pësuar ulje me rreth 1.30 cm, duke përmirësuar situatën e prurjeve. Vijon ndarja e ndihmave të vëna në dispozicion nga Rezevat Materiale të Shtetit për 100-150 familje të dëmtuara nga përmbytjet.
Bashkia Pustec:
Gjatë natës, reshjet kanë qenë të dobëta. Uji i akumuluar në katet e poshtme (bodrume) të disa banesave u largua plotësisht. Nuk raportohen problematika.
Bashkia Devoll:
Nuk ka problematika të reja. Vijon puna për zgjidhjen e problematikave të shfaqura gjatë ditëve të kaluara.
Bashkia Pogradec:
Gjatë natës, situata në Bashkinë Pogradec ka qenë e qetë, pa raportime të reja problematikash. Dje u sistemuan rrëshqitjet e dheut në Gurras e Dardhas. Në Njësinë Administrative Buçimas u krye pastrimi i disa kanaleve kulluese. Grupet e terrenit përfunduan akt-konstatimet, bazuar në informacionet e mbledhura nga kryepleqtë e të tjera burime lokale.
Ndihmat e ardhura nga Rezervat e Shtetit u magazinuan dje dhe sot nis shpërndarja për familjet e prekura. Hidrovori Tushemisht vijon punën normalisht.
OSHEE-ja: situata e furnizimit me energji Qarku Korçë:
-Fideri Komunal 3 – pa energji zona Qenckë (11 abonentë ruralë)
-Fideri 6 N/St Mollas pa energji zona Kurtesh (11 abonentë ruralë)
-Fideri 2 N/St Ersekë pa energji zona Zharkanj (6 abonentë ruralë)
Të gjithë fiderat që furnizojnë objektet e rëndësisë së veçantë janë në punë të plotë
Hidrovori Pogradec (Fideri 8-18, N/St Pogradec) punon normalisht
Drejtoria Qendër-Lindje ARRSH:
Në aksin Boboshticë-Dardhë kanë nisur reshjet e borës. Kontraktori është në terren dhe po kryen pastrimin e rrugës dhe kriposjen.
Në akset Korçë-Ersekë, K.6 Zemblak-Goricë dhe Bilisht-Miras ka reshje shiu me intensitet të ulët e deri mesatar. Qarkullimi vijon normalisht. Të gjitha akset po monitorohen në të gjithë gjatësinë e tyre.
Në Ersekë-Leskovik-3 Urat, reshjet janë me intensitet të ulët dhe qarkullimi është normal.
Në aksin Maliq-Lozhan-Kufi Gramsh pati reshje natën. U evidentuan rënie gurësh e inertesh dhe aktualisht po punohet për pastrimin. Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike.