Sport

Drejton Shqipërinë e futbollit deri më 2028-ën, fjalët e para të italianit Maran: Dua ekip agresiv!

Nga sot, Kombëtarja Kuqezi ka një trajner të ri dhe ai është italiani Rolando Maran. Në konferencën për shtyp në krah të kreut të FSHF-së, Armand Duka e para’ardhësit Sylvinho, Maran dha të parat deklarata, tashmë si tekniku i ri në postin e rëndësishëm.

62 vjeçari premtoi se karakterin e popullit shqiptar dhe dashurinë për kombin do të përpiqet t’i transmetojë në fushë.

Për mua është një angazhim moral dhe jam i emocionuar sepse e ndjej shumë këtë mision. Më pëlqen të kem një ekip agresiv e që të bëjë lojën. Kjo është ADN-ja ime, duam të jemi vetë ata që të kemi lojën në dorë.

Ndërkaq, Duka, theksoi se mendon se bëri zgjedhjen e duhur për pankinën kuqezi. Në Itali, Maran ka drejtuar Brescian në 15 takime e ka qenë edhe trajner i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses. Hera e parë që tani është në stolin e një ekipi kombëtar.

Largimi i Sylvinhos

Sa i përket Sylvinho-s, brazilianit i përfundonte kontrata në fund të qershorit e prej kohësh ishte në negociata për rinovimin, por palët vendosën të ndërpresin bashkëpunimin pas dështimit për të shkuar në Botërorin 2026. Bashkë me Sylvinho-n pritet të largohen edhe dy ndihmësit: braziliani Doriva e argjentinasi Zabaleta.