Një studim i madh shkencor ka ngritur alarmin për një zakon të përditshëm që shumë njerëz e konsiderojnë të padëmshëm: dremitjen gjatë ditës.
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi, personat që dremisin rregullisht kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar presion të lartë të gjakut dhe goditje në tru.
Ekspertët theksojnë se problemi nuk është vetë dremitja, por arsyeja pse ajo ndodh. Psikologu klinik Michael Grandner shpjegon se shumë njerëz e përdorin gjumin e ditës për të kompensuar mungesën ose cilësinë e dobët të gjumit gjatë natës, gjë që lidhet drejtpërdrejt me probleme shëndetësore.
Studimi zbuloi se personat që dremisnin shpesh kishin 12% më shumë gjasa të zhvillonin hipertension dhe 24% më shumë gjasa për të pësuar goditje në tru, krahasuar me ata që nuk dremisnin fare. Rreziku ishte edhe më i lartë tek personat nën 60 vjeç, ku dremitja e shpeshtë rriti mundësinë për presion të lartë gjaku me 20%.
Dr. Phyllis Zee nga Qendra për Mjekësinë Circadian dhe Sleep në Northwestern theksoi se këto gjetje tregojnë sa e rëndësishme është që mjekët të pyesin pacientët për përgjumjen dhe dremitjen gjatë ditës, pasi ato mund të jenë shenja paralajmëruese për probleme më serioze kardiovaskulare.
Ekspertët këshillojnë që dremitja të mos shihet si zgjidhje për lodhjen kronike, por që fokusi kryesor të jetë përmirësimi i gjumit të natës, i cili mbetet thelbësor për shëndetin e zemrës dhe trurit.