Showbiz

Dua Lipa ndez skenat botërore, rikthehet në Prishtinë?

Dua Lipa, ylli shqiptar me famë ndërkombëtare, po vijon të shkëlqejë në skenat më prestigjioze të botës. Këtë javë, këngëtarja do të ngjitet në skenën e stadiumit legjendar “Wembley” në Londër për dy net radhazi, më 20 dhe 21 qershor, ku do të performojë për mbi 160 mijë fansa, me të gjitha biletat e shitura brenda pak minutash.

Këto koncerte madhështore janë pjesë e turneut të saj të ri botëror, “Radical Optimism”, i cili po përshkruhet nga kritika si një spektakël i jashtëzakonshëm plot energji, muzikë dhe surpriza.

Pritet që në skenë të ngjiten edhe emra të njohur të industrisë muzikore, përfshirë fitues të çmimeve Grammy.

Në Londër, fansat kanë mundësinë të vizitojnë një pop-up shop ekskluziv të Dua Lipës, ku mund të blejnë produkte të personalizuara, të bëjnë foto dhe të shijojnë pijet e preferuara të artistes.

Pas Londrës, turneu do të ndalet në Anfield, Liverpool (25 dhe 27 qershor) dhe Dublin, stadiumi Aviva.

Por, emocioni më i madh për shqiptarët do të jetë ndalesa e saj në Prishtinë, më 1 gusht, në kuadër të “Sunny Hill Festival”, i cili këtë vit është zyrtarisht pjesë e turneut global të këngëtares.

Ky rikthim në vendlindje ka ngjallur entuziazëm të jashtëzakonshëm. Sipas organizatorëve të festivalit, interesimi për biletat është më i madhi ndonjëherë, duke bërë që ato të jenë drejt përfundimit.

Nga skenat më të mëdha të botës, Dua Lipa vjen drejt zemrës së Prishtinës, në një natë që premton të jetë historike për të gjithë fansat e saj.