Aktualitet

Dy muaj nga vrasja e Martin Canit, prindërit: Nuk kemi asnjë reagim, duam drejtësi!

Sot mbushen dy muaj nga ngjarja tronditëse e 18 nëntorit 2024 kur 14 vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar dhe shoku i tij u plagos, pranë 9-vjeçares “Fan Noli” në qendër të Tiranës. Prindërit e Martinit dhe aktivistë u mblodhën në protestë para mjediseve të shkollës ku mësonte i mituri. Ata e drejtuan gishtin nga institucionet duke deklaruar se nuk iu përgjigjen në lidhje me ecurinë e hetimeve. Ndërsa vuri në dukje se nuk vënë gjumë në sy nga përjetimi i kësaj traume të madhe, babai Engjëll Cani theksoi se “heshtja vret”.

Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe e nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetoj një ngjarje tragjike. Kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, iu bëj thirrjeve institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret.

Nuk kemi asnjë informacion, nuk ishte grup kriminal, mund të zbardhej për tre ditë. Nuk kemi asnjë reagim nga shkolla. I kërkuam shkollës rregulloren e brendshme, na thanë e çuam në Prokurori.

Nëna e Martinit, Florina Cani, përsëriti se kërkon vetëm drejtësi dhe deklaroi se asnjë institucion nuk e ka kontaktuar.

Kërkoj vetëm drejtësi, askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet e mia i kam bërë publike dhe unë dua vetëm drejtësi.

Autori i dyshuar, gjithashtu i mitur u arrestua pas ngjarjes që ka tronditur opinionin publik ndërsa qeveria mori vendimin për të mbyllur TikTok-un, nisur nga dyshimet se konflikti që kulmoi me vrasjen e Martinit, nisi në rrjetet sociale.

Vrasja e Martinit çoi në protesta, si edhe në konsultime të kryeministrit Rama e ministres së Arsimit, Manastirliu me prindër dhe mësues. Rama njoftoi mbylljen për 1 vit të TikTok-ut, si pjesë e planit për rritjen e sigurisë në shkolla. TikTok-u tha se donte sqarime urgjente nga qeveria shqiptare dhe deklaroi se “nuk ka gjetur prova që autori ose viktima të kishin llogari në të”. Opozita sulmoi vendimin e ekzekutivit duke e cilësuar “akt të pastër elektoral”.