Kryeministri Edi Rama është ulur në gjunjë teksa homologia e tij italiane, Giorgia Meloni mbërriti në Sheshin Skënderbej.
Kreu i qeverisë shihet teksa ulet në gjunjë ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni mbërriti në tapetin e kuq.
Ky moment u shoqërua me batuta nga Giorgia Meloni, e cila u shpreh se: “E bën vetëm që të jetë i gjatë sa unë”.
Më pas, dy liderët shkëmbyen një përqafim në tapetin e kuq.
E premtja e kthen sheshin “Skënderbej” në kryeqendrën e Europës.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë, ku do të marrin pjesë liderë nga 47 shtete nga e gjithë Europa, përfshirë vende të Bashkimit Europian, Ballkanin Perëndimor, si dhe shtete të tjera të kontinentit.
Mes tyre do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mbërriti një ditë më parë në kuadër të vizitës zyrtare, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kryeministri Edi Rama do ta nisë ditën me një sërë takimesh dypalëshe që i paraprijnë punimeve të samitit. Ai do të takohet fillimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Në total, Rama pritet të zhvillojë 10 takime me homologë të ndryshëm evropianë, përfshirë kryeministren italiane Meloni, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin turk Erdogan.
Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.
Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.