Food & Drink Lifestyle

Kafeja mund të ndihmojë gratë të plaken më shëndetshëm apo është “armik”?

Kafeina, e njohur shpesh si një “e keqe e domosdoshme” e përditshmërisë, po rezulton të jetë një aleat i rëndësishëm i shëndetit të grave dhe jetëgjatësisë së tyre. Një studim i gjatë i realizuar nga Universiteti i Harvardit dhe ai i Tufts-it ka treguar se konsumi i rregullt i kafesë me kafeinë mund të ndikojë pozitivisht në procesin e plakjes.

Hulumtimi, i prezantuar në konferencën e Shoqatës Amerikane për Ushqyerje, përfshiu mbi 47 mijë gra të ndjekura për rreth 30 vite.

Rezultatet treguan se ato që konsumonin rreth 315 mg kafeinë në ditë – ekuivalente me tre filxhanë kafe – kishin shanse dukshëm më të larta të arrinin moshën 70-vjeçare pa sëmundje kronike, pa dëmtime mendore dhe pa kufizime fizike.

Studiuesit theksuan se përfitimet shfaqeshin kryesisht nga kafeja me kafeinë, e cila përbënte mbi 80% të marrjes ditore të kafeinës.

Ndërkohë, pijet e gazuara u lidhën me efekte të kundërta, duke ulur gjasat për një plakje të shëndetshme. Çaji dhe kafeja pa kafeinë nuk dhanë të njëjtat rezultate pozitive.

Sipas udhëheqëses së studimit, dr. Sara Mahdavi, ishte pikërisht kafeina nga kafeja faktori kryesor që ndihmonte në ruajtjen e funksioneve fizike dhe kognitive në moshë të thyer.

Ekspertët rekomandojnë që gratë të zgjedhin kafe cilësore, me kokrra të plota arabike, idealisht organike, të bluara në momentin e përgatitjes dhe të pastra nga myku apo toksinat.

Gjithashtu, këshillohet shmangia e sheqernave të rafinuara dhe përdorimi i alternativave natyrale si kanella, kolagjeni ose qumështi i kokosit.

Specialistët theksojnë se, sidomos për gratë në të dyzetat dhe pesëdhjetat, një konsum i moderuar e i përditshëm i kafesë me kafeinë mund të ndihmojë jo vetëm për të jetuar më gjatë, por edhe për të ruajtur energjinë, kujtesën dhe lëvizshmërinë.

Mesazhi është i qartë: kafeja, e konsumuar me mençuri, mund të bëhet një nga sekretet e plakjes së shëndetshme.