Health & Beauty

E pështyni apo gëlltitni mukusin? Ekspertët ju tregojnë se çfarë duhet të bëni!

Gjatë ftohjes ose sëmundjeve të tjera që shkaktojnë bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, grumbullimi i mukusit në hundë dhe fyt është një nga simptomat më të bezdisshme. Shpesh lind pyetja nëse është më mirë ta pështysh mukusin apo ta gëlltisësh. Mukusi është një substancë e trashë, rrëshqitëse dhe gëlqerore që prodhohet nga mukozat e trupit, veçanërisht në traktin e frymëmarrjes, tretjes dhe gjenital.

“Mukusi përbëhet kryesisht nga ujë, por përmban proteina si mucinë, antitrupa, enzima dhe kripëra. Këto enzima dhe antitrupa ndihmojnë në luftën kundër infeksioneve,”-thotë Dr.Heather Viola. Funksioni bazë i mukusit është mbrojtja dhe lagështimi i indeve, kapja e pluhurit dhe alergjenëve, si dhe ndihma për sistemin imunitar përmes pastrimit të irrituesve.

Në rastet e infeksioneve si ftohja, gripi ose sinuziti, trupi rrit prodhimin e mukusit për të kapur dhe eliminuar substancat patogjene dhe për të ruajtur lagështinë e indeve të inflamatuara. Pulmologu Jonathan Parsons shpjegon: “Sasia e shtuar e mukusit mund të rrjedhë poshtë pjesës së pasme të fytit ose të grumbullohet në mushkëri, duke shkaktuar kollë ose nevojë për pastrim të fytit.”

Grumbullimi i mukusit mund të shkaktohet edhe nga alergjitë, ekspozimi ndaj irrituesve si tymi dhe ajri i thatë, medikamentet, ushqimi i caktuar, madje edhe refluksi acidik nga stomaku. Dr.Nora Tossounian shton se: “Irritues si poleni, pluhuri apo qimet e kafshëve shtëpiake mund të shkaktojnë reagim alergjik dhe të rrisin prodhimin e mukusit.”

Tossounian shpjegon nëse është më mirë të gëlltitet apo të pështyhet mukusi: “Nuk ka shumë ndryshim, sepse sistemi tretës është në gjendje ta përpunojë në mënyrë të sigurt mukusin e gëlltitur, por gëlltitja e sasisë së madhe të mukusit nuk rekomandohet sepse mund të shkaktojë nauze.” “Pështyja dhe gëlltitja e mukusit janë të sigurta, por pështyja mund të jetë më e këndshme nëse mukusi është i trashë ose irriton fytin,” thotë Dr.Parsons.

Dr.Heather Viola thekson se është më mirë të pështysh mukusin nëse ai përmban shumë baktere, është i trashë dhe në ngjyra të caktuara, sepse kjo ndihmon në lehtësimin e simptomave. Ekspertët rekomandojnë që të rritet marrja e lëngjeve pasi uji hollon mukusin dhe lehtëson nxjerrjen e tij. Pijet e ngrohta si çaji ose supa kanë efekt qetësues. Gjithashtu, shpëlarja e hundës me solucion fiziologjik dhe lagështimi i ajrit mund të ndihmojnë shumë.

“Gargara me ujë të ngrohtë me kripë ka efekt qetësues dhe lirues,”-thotë Tossounian. Është po ashtu e rëndësishme të shmangen irrituesit si tymi dhe alergjenët dhe të mbahet pozicioni i kokës më i lartë gjatë gjumit. Trajtimi i shkakut themelor, si infeksioni apo alergjia, është thelbësor për lehtësim afatgjatë.