Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka theksuar se skuadra e tij nuk është në të njëjtat pozita si një vit më parë, për shkak të problemeve me dëmtimet në mbrojtje.
“Është e vërtetë që kishim një motiv ekstra sot. Mendoj se edhe Skënderbeu se rastet ishin për të dy skuadrat. Mendoj që ishte një ndeshje shumë e kukur, por si shkoi me rastet që u krijuan, në pjesën e parë ishim më afër ne, edhe Skënderbeu. Por mendoj që ishim ne më afër fitores.
LEXO EDHE: Tirana – Teuta 0-1/ Shkëmbi: Nuk jemi dorëzuar/ Hodo falenderues ndaj lojtarëve: Tirana ishte shumë…
Normalisht që goli shqetëson, por po ta kapësh në statistikë, kemi 26 gjuajtje në portë. Ndaj nuk më shqetëson se trajnerit i mjafton që lojtari të shkojë para portës, pastaj finalizimi i takon lojtarit. Shpresoj që të mos kemi lojtarë të ngarkuar si më parë, të mos hyjnë e bëhet ngërç. Kjo të jetë motoja që do të diskutoj këto dy ditë.
Sot kishim Xhemajlin të pranishëm, e ka ndjerë këmbën. Por mendoj se do të shohim gjatë javës, nuk mund të them asgjë. Për lojtarët e tjerë deri diku edhe Kasa, por pjesa tjetër jo.
Ishim me bllok të mesëm duke e ditur që Skënderbeu ka 3 lojtarë shumë cilësorë lart, në vijën e sulmit, janë goxha të shpejtë. Mendoj që me mbrojtjen tonë, po themi me lojtarë mesfushorë, mendoj që e kishim pak të vështirë të bënim lojën tonë. Normalisht duhet që pjesa lart e ekipit tim duhet të jetë shumë e ashpër ndaj lojtarit që ka topin. Por është fundi dhe lojtarët kanë konsum energjish dhe mundësitë për rotacion janë shumë të pakta.
Krahasimi me vjet? Janë dy tablo të ndryshme, vjet ishte grupi shumë i plotë, nuk kishim asnjë lloj mungese. Më tepër më djeg se të gjithë problematikat i kemi pasur në mbrojtje nga marsi e mbrapa. Kam 6 mbrojtës në dispozicion e sot kisha 2 mbrojtës krahu e një qendre, lë për të dëshiruar. Vjet i kisha të gjithë të disponueshëm e kanë pasur formë, sivjet është tablo komplet ndryshe”, tha Tetova pas ndeshjes.
Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, foli pas barazimit 0-0 që skuadra korçare arriti në transfertë ndaj Egnatias, tekniku i skuadrës korçare deklaroi:
“Ky është kampionati. Personalisht mendoj se kisha kohë pa parë një kampionat të tillë, ku gara do të jetë e luftuar deri në javën e fundit. U munduam të bëjmë më të mirën, nuk arritëm dot te fitorja, kishim rastet tona, sigurisht edhe kundërshtari kishte raste. Me pak fat mund të kishim marrë edhe 3 pikët.
Ishte e përgatitur në disa mënyra ndeshja. Nuk bën asnjë skuadër vetëm presion, sepse është vetëvrasje. Kishte momente bënim presion, ku merrnim frymëmarrje dhe fillonim përsëri sulmet e shpejta. Kundërshtari është një skuadër cilësore që e mban topin mirë. Interpretimi ishte ai që kishim kërkuar dhe kemi bërë.
Në disa momente duhet të kishim bërë me mirë, donim me patjetër që të shkonim drejt fitores. Kur diçka kërkon me patjetër, ka momente që prishen balancat”, u shpreh Gjoka.