Jetëgjatësia po rritet falë përparimeve në mjekësi, teknologji dhe kujdes shëndetësor. Por sipas ekspertit të njohur të jetëgjatësisë Dan Buettner, dieta mbetet pika ku shumica gabojmë.
Ai është i prerë se ka disa ushqime që, nëse i konsumojmë rregullisht, minojnë seriozisht shëndetin dhe vitet e jetës.
Mishrat e përpunuar
Sallamet, proshutat dhe produktet e ngjashme renditen në krye të listës së rrezikut. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin i klasifikon si kancerogjenë të Grupit 1, veçanërisht të lidhur me kancerin kolorektal. Përmbajtja e lartë e natriumit dhe yndyrnave të ngopura rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe diabet të tipit 2.
Pijet me sheqer
Lëngjet e frutave të përpunuara dhe pijet e gazuara janë burimi kryesor i sheqerit të rafinuar në dietë. Ato lidhen me obezitetin, problemet e zemrës, dëmtimin e dhëmbëve dhe, në raste të rënda, me dëmtim të mëlçisë dhe veshkave.
Ushqimet shumë të kripura
Patatet e skuqura dhe snack-et e kripura nxisin hipertensionin, obezitetin dhe sëmundjet e zemrës. Për më tepër, përmbajnë yndyrna trans dhe përbërës potencialisht kancerogjenë, duke krijuar edhe varësi.
Ëmbëlsirat dhe pastat industriale
Këto produkte rrisin rrezikun për sindromë metabolike, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare. Sheqeri i lartë dhe shurupi i misrit me fruktozë dëmtojnë mëlçinë dhe dhëmbët, ndërsa formulimi i tyre synon varësinë.
Mesazhi i Buettner është i qartë: nëse doni të jetoni më gjatë dhe më shëndetshëm, filloni nga ajo që futni në shtëpi, dhe në pjatë.