Bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Elon Musk, i dha mundësinë disa mediave amerikane t’i drejtojnë pyetje, ku zbuloi disa detaje interesante. Fokusi i këtij aktiviteti ishte, natyrisht, përfshirja e Muskut në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht drejtimi i Departamentit joformal për Efiçencën e Qeverisë (DOGE). Musk pranoi se ky departament nuk është aq efikas sa kishte pritur, por theksoi se “po bëjnë një punë të mirë”.
Megjithatë, pjesa më interesante e ngjarjes ishte përgjigjja e Muskut në pyetjen se ku flinte gjatë kohës që ishte në Uashington. Dihet se Susie Wiles, shefja e kabinetit të Trumpit, nuk kishte lejuar hapjen e një zyre për miliarderin në Shtëpinë e Bardhë kur Trump mori detyrën e presidentit, por shefi i makinave Tesla zbuloi se kishte kaluar disa net duke qëndruar në rezidencën e presidentit amerikan.
“Trump më pyeste se ku po qëndroja, unë i thosha se nuk e dija dhe se ndoshta do flija tek ndonjë mik. Atëherë më ftonte të qëndroja në Shtëpinë e Bardhë, madje ndodhte që më telefononte vonë në mbrëmje që të shkoja të merrja akullore nga kuzhina”-tha miliarderi. Musk la të kuptohej se do të largohet nga puna në qeverinë amerikane dhe se do të përqendrohet në drejtimin e kompanive Tesla dhe SpaceX.
Anëtarët e bordit të Teslas thuhet se kanë filluar një kërkim për dikë që të zëvendësojë Elon Musk si CEO. Disa firma kërkimore ekzekutive u afruan për të gjetur një pasardhës rreth një muaj më parë. Por statusi aktual i planifikimit të vazhdimësisë për prodhuesin e makinave elektrike nuk dihej. Kryetarja e Tesla-s, Robyn Denholm, më vonë reagoi ndaj raportit duke këmbëngulur se çdo sugjerim për një kërkim aktiv ishte “absolutisht i rremë”. Ajo shtoi se bordi ishte shumë e sigurt në aftësinë e Musk për të vazhduar ekzekutimin e planit të rritjes përpara.