Një avion i Forcave Ajrore Kolumbiane sot u nis nga San Diego me 110 emigrantë kolumbianë të dëbuar. Një avion i dytë u nis nga Hjustoni, në Teksas.
Ky zhvillim vjen pas përplasjeve që u krijuan të dielën mes Uashingtonit dhe Bogotës, kur presidenti kolumbian, Gustavo Petro refuzoi që emigrantët kolumbianë të deportoheshin me avionë ushtarakë amerikanë.
Petro e cilësoi një gjë të tillë si mungesë respekti. Pas refuzimit të tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump kërcënoi se do t’i vendoste tarifa Kolumbisë, dhe presidenti kolumbian tha se do t’i kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë.
Por, nuk vonoi dhe dy vendet njoftuan se kishin arritur një marrëveshje për të qetësuar situatën.
Gustavo Petro vuri në dukje se emigrantët kolumbianë do të udhëtojnë “pa pranga”, me avionët e Forcave Ajrore Kolumbiane.
Kjo dispozitë, dinjitet për të dëbuarit do të zbatohet për të gjitha vendet që i dëbojnë ata.
Prej momentit kur mori detyrën, presidenti Trump ka vepruar me shpejtësi për të kryer deportime, një nga premtimet e fushatës së tij.
Në fillimjavë u shpreh se nëse vendet që nuk i pranojnë menjëherë emigrantët e tyre “do të paguajnë një çmim shumë të lartë ekonomik dhe ne do t’u vendosim menjëherë tarifa masive”.
Në ndryshim nga Kolumbia, Guatemala ka pranuar disa avionë të Forcave Ajrore amerikane që transportonin emigrantë të këtij vendi, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditët e fundit.
Fluturimi i fundit u krye të hënën me kthimin e 64 emigrantëve nga Guatemala.
Dëbimet e emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara nuk janë të reja. Agjencia amerikane e Emigracionit dhe Doganave kryen me qindra fluturime çdo vit.
Por, ajo çka duket e re është përdorimi i avionëve ushtarakë. Më parë, agjencia përdorte fluturime me avionë civilë për të dëbuar njerëzit që kishin hyrë në rrugë të paligjshme në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.