Emmanuel Macron do të shtyjë përpara ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç!

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të nxisë një rregullore të Bashkimit Evropian për të ndaluar mediat sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç pas një goditjeje fatale me thikë në një shkollë në Francën lindore, sulmi i fundit i dhunshëm që e la vendin të tronditur. Macron tha në një intervistë se shpresonte të shihte rezultate brenda disa muajve të ardhshëm. “Nëse kjo nuk funksionon, ne do të fillojmë ta bëjmë në Francë. Nuk mund të presim”-i tha ai transmetuesit publik France 2, disa orë pas një goditjeje fatale me thikë në një shkollë të mesme në Nogent, Haute-Marne.

Policia mori në pyetje një nxënës 14-vjeçar në lidhje me goditjen me thikë të një asistenteje shkolle 31-vjeçare gjatë një kontrolli për armë në çantë. Kryeministri Francois Bayrou i tha parlamentit se incidenti nuk ishte një rast i izoluar. Macron tha se mediat sociale ishin një nga faktorët që fajësoheshin për dhunën midis të rinjve. Duke shkruar në platformën e mediave sociale X pas intervistës, Macron tha se një rregullore e tillë mbështetej nga ekspertët. “Platformat kanë aftësinë të verifikojnë moshën. Bëjeni”-shkroi ai.

Ndërkaq, psikologu amerikan dhe autori i bestsellerëve, Jonathan Haidt, ka ngritur një alarm të fuqishëm për atë që e quan krizë të shëndetit mendor tek fëmijët, e shkaktuar kryesisht nga përdorimi i tepërt i smartfonëve dhe rrjeteve sociale. Gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, Haidt promovoi një libër të tij “The Anxious Generation”, i cili ka shitur 1.7 milionë kopje dhe ka ndikuar në hartimin e ligjeve të reja në disa vende. Mesazhi i tij është i qartë: shpërthimi i teknologjisë digjitale që nga viti 2010 ka shoqëruar një rritje të ndjeshme të ankthit, depresionit dhe vetëlëndimit tek të rinjtë.