Emrat e supermodeleve Bella dhe Gigi Hadid janë përmendur në dokumentet e sapopublikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që lidhen me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke rikthyer vëmendjen mediatike mbi çështjen.
Sipas materialeve të zbardhura, motrat Hadid përmenden në një email të datës 3 dhjetor 2015. Megjithatë, në dokumente nuk ka asnjë provë që ato kanë pasur kontakt me Epstein apo që kanë qenë pjesë e ndonjë komunikimi me të.
Në mesazhin elektronik, një person i paidentifikuar, që dyshohet të ketë lidhje me industrinë e modës, i drejtohet Epstein me pyetjen se si motrat Hadid arritën të bëhen modele kaq të suksesshme dhe të fitojnë shuma të mëdha parash.
Në përgjigje, Epstein lë të kuptohet se bashkëbiseduesi “e di” arsyen, duke kundërshtuar pretendimin se suksesi i tyre ishte rezultat i ndërhyrjes financiare nga familja.
Biseda, sipas dokumenteve, më pas merr një drejtim të papërshtatshëm, me komente dhe insinuata të rënda nga ana e bashkëbiseduesve. Megjithatë, asnjë pjesë e komunikimit nuk dëshmon për përfshirje apo kontakt të drejtpërdrejtë të Bella apo Gigi Hadid me Epstein.
Në periudhën kur është shkëmbyer email-i, Gigi Hadid kishte nisur të konsolidohej si një nga emrat më të mëdhenj të modës ndërkombëtare, pas kontratës me IMG Models dhe pjesëmarrjes në fushata prestigjioze.
Ndërkohë, Bella Hadid po hidhte hapat e parë drejt suksesit me të njëjtën agjenci.
Të dyja vijnë nga një familje e njohur në Los Angeles: babai i tyre, Mohamed Hadid, është zhvillues i pasurive të paluajtshme, ndërsa nëna, Yolanda Hadid, është ish-modele dhe figurë televizive.