Bota

Charlie Kirk ka vdekur/Vrasja e aktivistit të djathtë amerikan teksa fliste për të shtënat në Amerikë!

Charlie Kirk, aktivisti i fuqishëm i krahut të djathtë dhe drejtori ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse Turning Point USA (TPUSA), u vra në një atentat ndërsa merrte pjesë në një aktivitet në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kirk, 31 vjeç, u qëllua teksa ishte ulur midis studentëve nën një tendë në oborrin e Universitetit Utah Valley, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me të shtënat me armë zjarri e që janë aq të shpeshta në Amerikë. Viktima merrte pjesë në Turneun Amerikan të Kthimit, të organizuar nga dega e TPUSA në Utah Valley.

A e dini se sa amerikanë transgjinorë kanë qenë vrasës masivë në 10 vitet e fundit, u pyet ai. Shumë, u përgjigj Kirk. I njëjti person nga audienca vazhdoi duke saktësuar se numri ishte 5 dhe e pyeti Kirk-un nëse e dinte se sa vrasës masivë ka patur në Amerikë në 10 vitet e fundit? A llogaritet dhuna e bandave, apo jo, u shpreh Kirk, përpara se të qëllohej.

Disa orë pas të shtënave, Drejtori i FBI-së, Kash Patel, njoftoi arrestimin e një personi:

Personi përgjegjës për të shtënat që çuan në vdekjen e Charlie Kirk-ut tani është në paraburgim, shkroi në X.

Por, vetë Patel njoftoi më pas se “individi në paraburgim u lirua pas marrjes në pyetje nga forcat e rendit. Hetimi ynë vazhdon dhe ne do të vazhdojmë të publikojmë informacione në interes të transparencës”.

Më shumë se 3 mijë njerëz morën pjesë në aktivitetin në Universitetin e Luginës së Utah-ut, me vetëm gjashtë oficerë në vend për të garantuar sigurinë. Shefi i Policisë së Universitetit, Jeff Long, e tha këtë në një konferencë për shtyp, duke vënë në dukje se midis turmës ishin disa oficerë me veshje civile, si dhe sigurimi privat i Kirk-ut.

Trump: “I dashur dhe i admiruar nga të gjithë”

Të gjithë duhet të lutemi për Charlie Kirk, një person i shkëlqyer nga koka te këmbët – Zoti e bekoftë! shkroi Trump në Truth Social.

Me lajmin e vdekjes së tij, presidenti shkroi një mesazh tjetër.

I Madhi, madje Legjendari, Charlie Kirk ka vdekur. Askush nuk e kuptoi ose nuk e zotëronte Zemrën e Rinisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më mirë se Charlie. Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga të gjithë, veçanërisht nga unë dhe tani ai nuk është më me ne. Ngushëllimet e Melanias dhe të miat shkojnë për gruan e tij të mrekullueshme Erika dhe familjen e tij. Charlie, të duam!

Në nder të Charlie Kirk-ut, një patriot vërtet i madh amerikan, po urdhëroj që të gjithë flamujt amerikanë në Shtetet e Bashkuara të ulen në gjysmë shtizë deri të dielën në mbrëmje në orën 06:00 pasdite.