Gossip Showbiz

Eric Dane lë mesazhin prekës për vajzat para vdekjes: “Luftoni me dinjitet deri në fund”

Aktori amerikan Eric Dane ka lënë një mesazh emocional për dy vajzat e tij, Billie (15) dhe Georgia (14), pak para se të ndërronte jetë pas betejës me sklerozën laterale amiotrofike (ALS).

Në fjalët e tij të fundit, aktori iu drejtua vajzave me një rrëfim të ndjerë për jetën, kujtimet familjare dhe këshillat që dëshironte t’u linte për të ardhmen. Ai kujtoi momentet e lumtura që kishin kaluar së bashku në plazh, duke përmendur pushimet familjare në Malibu, Santa Monika, Hawaii dhe Meksikë.

U përpoqa. Ndonjëherë pengohesha, por u përpoqa. Në përgjithësi kaluam shumë mirë, apo jo? Ju shoh duke luajtur në oqean për orë të tëra, ‘fëmijët e mi të ujit’. Ato ditë ishin parajsë

-u shpreh ai.

Aktori theksoi rëndësinë e të jetuarit në të tashmen, duke pranuar se për vite me radhë kishte jetuar i zhytur në shqetësime, dyshime dhe pendesa për vendimet e së kaluarës, por kishte mësuar të ndryshonte këtë qasje.

Ai i inkurajoi vajzat të gjenin pasionin e tyre në jetë, të binin në dashuri me atë që i bën të lumtura dhe të ndiqnin ëndrrat me vendosmëri.

Sipas tij, puna nuk e përcakton njeriun, por duhet të jetë një burim gëzimi dhe përmbushjeje.

Në mesazhin e tij, Dane theksoi gjithashtu rëndësinë e miqësisë, duke i këshilluar ato të zgjedhin me kujdes njerëzit që i rrethojnë dhe të vlerësojnë mbështetjen e pakushtëzuar të tyre, sidomos në momentet e vështira.

Ai foli hapur edhe për sfidat që i kishte sjellë sëmundja, duke pranuar se nuk mund të kryente më aktivitetet e përditshme si më parë, por kishte mësuar të pranonte ndihmën e miqve dhe familjes.

Kjo sëmundje po ma merr ngadalë trupin, por nuk do të ma marrë kurrë shpirtin

-deklaroi ai, duke u bërë thirrje vajzave të luftojnë gjithmonë me dinjitet dhe forcë përballë sfidave të jetës.

Në fund të mesazhit, aktori u tha vajzave se po u linte si trashëgimi forcën dhe qëndrueshmërinë e tij, duke i nxitur të përballen me çdo vështirësi me ndershmëri dhe integritet.

Billie dhe Georgia, ju jeni zemra ime. Ju jeni gjithçka për mua. Natën e mirë. Ju dua. Këto janë fjalët e mia të fundit

-përfundoi ai.