Festivali Europian i Këngës mund të përballet me një krizë të madhe përpara edicionit të vitit 2026. Pas vendimit të Irlandës për të bojkotuar ngjarjen nëse lejohet pjesëmarrja e Izraelit, edhe Spanja dhe Sllovenia po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e tërheqjes.
Transmetuesi publik irlandez RTE deklaroi se një pjesëmarrje e Izraelit do të ishte “e papranueshme” për shkak të “humbjes së vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza”, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas qëndrimit zyrtar të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU).
Nga ana e saj, Spanja ka reaguar ashpër përmes ministrit të Kulturës, Ernest Urtasun, i cili gjatë një interviste për “La Hora de La 1” paralajmëroi se vendi nuk e përjashton një bojkot.
Ai theksoi se pjesëmarrja e Izraelit, në kushtet aktuale, do të nënkuptonte një “normalizim” të veprimeve të tij në Gaza dhe do të minonte përgjegjësinë ndërkombëtare. Qeveria spanjolle ka bërë tashmë thirrje për përjashtimin e shtetit izraelit dhe është e gatshme të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.
Edhe Sllovenia, sipas mediave ndërkombëtare, po konsideron një tërheqje, duke ndjekur shembullin e Irlandës dhe Spanjës.
Këto paralajmërime kanë vënë në presion të madh EBU-në, e cila pritet të shpallë qëndrimin e saj zyrtar në muajt e ardhshëm. Debati rreth përfshirjes së Izraelit në Eurovision po hap gjithnjë e më shumë diskutime mbi politizimin e festivalit dhe kufijtë e përfaqësimit në një ngjarje që tradicionalisht ka pasur mision kulturor dhe jo politik.