Gossip Music

Eurovision habit fansat? Turne historik për 70-vjetorin, por një krizë po e errëson festën?

Konkursi i Këngës në Eurovision ka zbuluar planet për një turne madhështor live, i cili do të shënojë 70-vjetorin e një prej ngjarjeve më ikonike në historinë e muzikës europiane.

Turneu do të nisë menjëherë pas finales së madhe të këtij viti dhe synon të sjellë magjinë e Eurovisionit përtej ekranit televiziv, drejtpërdrejt tek fansat.

Sipas njoftimit zyrtar nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), shfaqja do të përfshijë disa nga interpretuesit më të paharrueshëm të shtatë dekadave të konkursit, duke ndërthurur nostalgjinë me frymën moderne të Eurovisionit.

Organizatorët kanë theksuar se synimi i tyre ishte “të bënin diçka vërtet unike dhe të veçantë” për këtë përvjetor historik.

Drejtori i konkursit, Martin Green, u shpreh se formati i turneut do të pasqyrojë evolucionin e Eurovisionit ndër vite, duke festuar të kaluarën dhe njëkohësisht duke hedhur sytë drejt së ardhmes.

Artistët pjesëmarrës do të interpretojnë këngët e tyre që i bënë të famshëm në Eurovision, por edhe disa nga hitet më të dashura të historisë 70-vjeçare të festivalit.

Për herë të parë, po e sjellim magjinë e përvojës së Festivalit të Këngës në Eurovision drejtpërdrejt te fansat, miqtë dhe familjet e tyre në të gjithë Evropën

-deklaroi Green.

EBU theksoi gjithashtu se ky turne është një mundësi e artë për ata fansa që nuk arritën të sigurojnë bileta për vetë konkursin, duke u ofruar një shfaqje që premton të ruajë “shkallën, spektaklin dhe shpirtin” karakteristik të Eurovisionit.

Turneu do të nisë më 15 qershor në O2 Arena të Londrës dhe do të vazhdojë me shfaqje në qytete të mëdha europiane si Hamburgu, Milano, Cyrihu, Antverpi, Këlni, Kopenhageni, Amsterdami, Parisi dhe Stokholmi.

Ende nuk janë bërë publikë emrat e artistëve pjesëmarrës, por është konfirmuar se në turne do të përfshihen edhe konkurrentë nga edicioni i këtij viti.

Megjithatë, ky njoftim vjen në një moment delikat për konkursin. Eurovisioni po përballet me polemika dhe trazira të forta për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, ndërsa Irlanda, Spanja, Holanda, Sllovenia dhe Islanda kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë këtë vit.

Konkursi i Këngës në Eurovision u mbajt për herë të parë në maj të vitit 1956 në Zvicër dhe ndër vite është shndërruar në një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura në botë. Edicioni i vitit të kaluar u ndoq nga rreth 175 milionë shikues globalisht.

Këtë vit, Eurovision do të mbahet në Vjenë më 16 maj, pas fitores së Austrisë në vitin 2025, ndërsa turneu i 70-vjetorit pritet të shkruajë një kapitull të ri në historinë e festivalit, mes festës, nostalgjisë dhe tensioneve që nuk mund të anashkalohen.