Interesi për Eurovision-in e këtij viti ka thyer çdo parashikim. Pothuajse të gjitha 90 mijë biletat për edicionin që do të mbahet në Vjenë u shitën brenda pak minutash, duke konfirmuar edhe një herë fuqinë magnetike të këtij eventi muzikor evropian.
Organizatorët bënë me dije se biletat për finalen e madhe u zhdukën për vetëm 14 minuta, ndërsa të gjitha shfaqjet e tjera, përfshirë gjysmëfinalet dhe provat gjenerale, u mbyllën brenda një ore.
Sipas Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU), gjatë javës së Eurovision-it do të zhvillohen nëntë ngjarje në total, përfshirë dy prova gjenerale për çdo transmetim live.
EBU sqaroi gjithashtu se biletat që nuk do të përdoren nga delegacionet kombëtare mund të rikthehen në shitje në një fazë të dytë.
Reagimi ka qenë fenomenal
-deklaroi drejtori i konkursit, Martin Green, duke e cilësuar këtë interes si një dëshmi të fuqisë bashkuese që ka Eurovision-i.
Megjithatë, edicioni i 70-të i konkursit zhvillohet nën hijen e polemikave politike. Pjesëmarrja e Izraelit, në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës, ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar bojkotin e tyre si shenjë proteste.
Këtë vit në Eurovision marrin pjesë 35 vende. Dy gjysmëfinalet do të mbahen më 12 dhe 14 maj, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet më 16 maj.
Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, si vend pritës, janë të kualifikuara automatikisht për finalen.
Pavarësisht debateve dhe tensioneve, Eurovision vazhdon të mbetet një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura në botë, duke bashkuar miliona shikues dhe fansa nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.