Peizazhi i drogës në Evropë po ndryshon me ritme të shpejta, duke u ndikuar nga pasiguria globale dhe përparimet në prodhimin e substancave të reja psikoaktive. Raporti i fundit për vitin 2025 nga Agjencia Evropiane e Drogave (EUDA), i mbështetur në të dhëna nga 29 vende anëtare, nxjerr në pah rritjen e ndjeshme të konsumit dhe qarkullimit të drogave sintetike, si nitazenet, kanabinoidet dhe katinonet.
Sipas raportit, rritja e mbidozave të lidhura me nitazene dhe praninë e tyre në ilaçe të falsifikuara paraqet një kërcënim serioz për shëndetin publik. Ndërkohë, ndalimi i kultivimit të opiumit në Afganistan ka krijuar mungesë në furnizimin me heroinë, duke shtyrë përdoruesit drejt substancave sintetike më të rrezikshme. Kokaina, nga ana tjetër, po përhapet më shumë se kurrë, me një rekord konfiskimesh prej 419 tonësh vetëm në vitin 2023.
Kjo prirje po nxit ndryshime të thella në rrjetet e trafikimit dhe po shoqërohet me rritje të dhunës së lidhur me tregtinë e drogës në të gjithë Bashkimin Evropian. Ndërkaq, përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që kanë konsumuar kokainë, përkundrejt 21% që është mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe 29% e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian EUDA.
Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18 vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë unionit. Në total, morën pjesë mbi 66 mijë persona nga 31 vende. Në Ballkanin Perëndimor u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18 vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi). Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.