Një moment i thjeshtë gjatë promovimit të filmit “The Devil Wears Prada 2” është kthyer në një episod viral, pasi një fans i dhuroi një kopje të Kuranit aktores Anne Hathaway, pas përdorimit të shprehjes “Inshallah” nga kjo e fundit gjatë një interviste. “Unë thjesht dua të jetoj dhe të shijoj jetën, dua të kem një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, inshallah”, u shpreh Hathaway, duke përdorur një frazë me origjinë arabe që do të thotë “në dashtë Zoti”.
Përdorimi i kësaj shprehjeje të zakonshme në komunitetet myslimane tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut në rrjetet sociale. Për shumë ndjekës, ajo që ra në sy nuk ishte vetëm fraza, por mënyra e natyrshme me të cilën aktorja e përdori atë. Reagimet online e përshkruan momentin si spontan dhe të sinqertë, duke theksuar se përdorimi nuk dukej aspak i sforcuar apo i qëllimshëm për efekt.
Shprehja “Inshallah”, e përdorur gjerësisht jo vetëm në botën arabe, por edhe në gjuhë si urdu dhe hindi, është bërë pjesë e komunikimit të përditshëm për miliona njerëz. Gjatë premierës së filmit, një fans vendosi ta konkretizojë reagimin e tij përmes një gjesti simbolik, duke i dhuruar aktores një kopje të Kuranit si shenjë vlerësimi për përdorimin e shprehjes.
Hathaway është vlerësuar nga revista “People” si gruaja më e bukur në botë për vitin 2026. E njohur për rolet e saj në filmat “The Princess Diaries”, “Les Misérables” dhe “The Devil Wears Prada”, Hathaway vijon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të Hollywood-it edhe pas më shumë se dy dekadash karrierë. Aktualisht 43 vjeçe, ajo po përgatitet për një vit të ngjeshur artistik, pasi pritet të marrë pjesë në 5 projekte filmike, përfshirë edhe vazhdimin e shumëpritur “The Devil Wears Prada 2”, që do të dalë në kinema më 1 maj.