Me rikthimin e tensioneve në veriun e Kosovës me shumicë serbe, tensione këto të lidhura me kundërshtimin e popullatës për kryetarët e rinj shqiptarë të tre komunave, sot në mëngjes, pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar edhe në veri të Mitrovicës, nga ura kryesore në lindje-perëndim.
Në të gjithë rrugën në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve e Tre Rrokaqiejve janë vendosur dhjetëra autoblinda. Në mënyrë të organizuar, qytetarë serbë u nisën nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit, për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit, në votimet që u shënuan nga një pjesëmarrje tepër e ulët.
Gjithashtu, pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar në vijën e parë të ndërtesës së Komunës Zveçan, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të qëndrojë përreth godinës. Një ditë më parë, shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Kosovës të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm e destabilizues” në veri të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por sipas tij, “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese”.
Dje, Albin Kurti tha se marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe Aneksi i saj, duhet të zbatohen shpejt, plotësisht e pa kushte. Shefi i qeverisë së Prishtinës u takua me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon dhe shefin e zyrës së Bashkimit Europian, Tomas Szunyog.
Kurti bisedoi për tensionet në veri të Kosovës, pas hyrjes në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit. Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet ishin shtyrë në dhjetor e se pas mbajtjes së tyre më 23 prill duhej të fillohej sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët”, të ndërprera prej nëntorit të kaluar pas dorëheqjes së serbëve.