Sport

“Final 4” në ajër, klubet e Superiores vendosin për fatin e formatit!

Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar tashmë datat zyrtare për nisjen e kampionateve për sezonin 2025-2026, Kategoria Superiore mbetet ende pa një skemë të qartë garimi.

Ka dy sezone që modeli “Final 4” është aplikuar si një risi në formatin e kampionatit, duke sjellë emocion dhe rivalitet në fund të sezonit, por njëkohësisht edhe shumë debat, sidomos për faktin se gjatë kampionatit, ekipet e kanë luksin edhe për të gabuar, çka ul ndjeshëm emocionin e garës dhe praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit. Megjithëse qëllimi i kësaj formule ishte të rrisë konkurrencën dhe interesin në fazën përmbyllëse të kampionatit, kritikat nuk kanë munguar.

Trajnerë, tifozë e ekspertë të futbollit shqiptar kanë ngritur dyshime mbi drejtësinë sportive të këtij formati, duke theksuar se shpeshherë përpjekjet gjatë gjithë sezonit mund të zhbëhen në një ndeshje të vetme.

Në këto ditë, pritet që presidentët e klubeve të Superiores të mblidhen në selinë e FSHF-së, për të diskutuar nëse do të ruhet modeli aktual apo do të kalojnë në një tjetër skemë, ndoshta rikthimi te formati tradicional me renditje përfundimtare pas 36 javësh ose një alternativë e ndërmjetme. Në sfond qëndron edhe pyetja e natyrshme për impaktin që ka “Final 4” tek të ardhurat, interesimi i publikut dhe niveli sportiv.

Disa klube e kanë përkrahur për shkak të mundësisë për të luftuar për titull edhe nëse nuk kanë qenë të shkëputura në krye gjatë sezonit, ndërsa të tjerat e kanë parë si një mënyrë që penalizon vazhdimësinë dhe konsistencën. FSHF duket se është ende në fazën e dëgjimit të palëve, përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Çfarëdo që të ndodhë, sezoni i ri i Superiores pritet të nisë në fund të gushtit, por garancia për formatin mbetet pezull, duke krijuar pasiguri për klubet në përgatitjet e tyre verore. Në këtë klimë, vendimi që do të merret në ditët në vijim mund të jetë kyç për të ardhmen e kampionatit, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe për mënyrën se si futbolli shqiptar do të shitet dhe perceptohet në vitet e ardhshme.