Federata Shqiptare e Futbollit po mban sot Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme. Aldi Topçiu, drejtori administrativ i FSHF-së ka konfirmuar vijimin e “Final 4”.
“Kampionati pati histori suksesi, vlen të tregohet, meriton gjithashtu që kjo strukturë të mbështetet dhe të përforcohet për vitin që vjen. Bashkë me ju kemi planifikuar një analizë të këtij sezoni. Do të vijojmë me ngulm lobimin me Qeverinë për ligjin e sponsorizimit.
Kemi besim se do na ndikojnë edhe në aspekt komerciale të garës sonë dhe do të vazhdojmë për konsolidimin e “Final 4” si produkt premium dhe si platformë forcimi sportive dhe komerciale”, u shpreh Aldi Topçiu.
Ka dy sezone që modeli “Final 4” është aplikuar si një risi në formatin e kampionatit, duke sjellë emocion dhe rivalitet në fund të sezonit, por njëkohësisht edhe shumë debat, sidomos për faktin se gjatë kampionatit, ekipet e kanë luksin edhe për të gabuar, çka ul ndjeshëm emocionin e garës dhe praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit.
Në sfond qëndron edhe pyetja e natyrshme për impaktin që ka “Final 4” tek të ardhurat, interesimi i publikut dhe niveli sportiv. Disa klube e kanë përkrahur për shkak të mundësisë për të luftuar për titull edhe nëse nuk kanë qenë të shkëputura në krye gjatë sezonit, ndërsa të tjerat e kanë parë si një mënyrë që penalizon vazhdimësinë dhe konsistencën.