Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë, shtetasen me iniciale E.G., e akuzuar për “Falsifikim dokumentesh” e “Shpërdorim detyre”. Bashkë me të do të gjykohet edhe shtetasi Sh.B., i cili akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Mashtrim”.
Hetimet nisën pas disa denoncimeve dhe zbuluan se në rrugën e Bogdanëve, në Tiranë janë kryer ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë, me një sipërfaqe shtesë prej 2 mijë e 240 m². Sipas akt-ekspertimit teknik, vetëm për këtë sipërfaqe taksa e ndikimit në infrastrukturë duhej të ishte 24.9 milion lekë, shumëfish më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.
Prokuroria thotë se ish-drejtoresha e ASHK-së ka nënshkruar dokumente pa kryer matje në terren, duke raportuar sipërfaqe shumë më të vogla se ato reale, çka solli përfitime të padrejta për ndërtuesin dhe dëm të interesit publik.
Ndërkohë, dyshohet se shtetasi Sh.B. ka ndërtuar në kundërshtim me lejen e dhënë, duke ndjekur qëllime fitimprurëse.