Aktualitet

“Flasim”, me skiatoren Colturi/Rama: Flamuri shqiptar do të ngrihet mbi të gjithë në ski!

Në episodin e 15-të të sezonit të tretë të podcast-it “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar skiatoren Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë në kompeticionet më të rëndësishme të skive në botë. Rama e cilësoi Colturin si “Princesha e dëborës”. Duke e prezantuar, shefi i qeverisë u shpreh:

Vetëm 18 vjeçe, por vjen nga majat me dëborë të botës. Lara Colturi, një italiane e lindur dhe rritur në Itali që ka vendosur të bëhet shqiptare, të vërë flamurin e Shqipërisë në gjoks dhe të garojë për Shqipërinë në ski. Edhe pse është shumë e re i ka sjellë shenjat e para të sigurta që shumë shpejt do ta shohim flamurin shqiptar të ngrihet mbi të gjithë në një disiplinë që për Shqipërinë është krejt e re, por falë Larës dhe nënës së saj mund të jetë një nga disiplinat e së ardhmes.

Skiatorja Lara Colturi:

E morëm këtë vendim me prindërit, pasi pamë këtë mundësi për të qenë bashkë me familjen në pistë dhe për të punuar bashkë me prindërit e mi.

Pyetjes së kryeministrit Rama se përse e hodhi këtë hap shumë të mirëpritur, duke ardhur nga njëra anë e detit në anën tjetër dhe të merrte nënshtetësinë shqiptare, Colturi tregoi edhe se ajo ishte në kategorinë C në ato momente.

Isha në kategorinë e moshave 12-13-14 vjeç, kisha fituar të gjitha garat dhe menduam se ndërmarrja e një hapi të tillë do të mundësonte hapjen e të gjitha rrugëve drejt renditjes në vendet e para e për të përjetuar atë çka po përjetoj tani, ëndrrën time së bashku me prindërit e mi duke u argëtuar po ashtu.

Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, u ngjit për herë të parë në podium në nëntor të këtij viti si vendi i dytë në Kupën e Botës për Ski, në garën e Obergurgl-ut në Austri. Skiatorja e cila përfaqëson Shqipërinë, u rendit e dyta në garën e sllallomit, vetëm 55 të qindtat pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin, e cila mban numrin rekord të 99 garave të fituara në Kupën e Botës.