Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po viziton Hungarinë, në të parin udhëtim në Europë që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi fletarrest ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gaza. Ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky, priti Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30 e më pas, njoftoi për vizitën e udhëheqësit izraelit.
Mirë se erdhët në Budapest, Benjamin Netanyahu!
Netanyahu është i sigurt se nuk do të arrestohet gjatë vizitës 4-ditore. Si nënshkruese për gjykatën në Hagë, Hungaria e ka për detyrim ta arrestojë, por situata e brendshme ligjore e Budapestit është e ndërlikuar dhe kjo i jep hapësirë të mjaftueshme qeverisë që ta mirëpresë kryeministrin izraelit.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, publikisht e ftoi Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrest.
I garantoj se nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari.
Burime diplomatike në Hungari i thanë Radios Evropa e Lirë se shteti ka vendosur që të tërhiqet nga GJNP-ja, edhe pse një vendim i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Orban është rreshtuar me Netanyahun dhe me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili po ashtu ka kritikuar vendimin për lëshimin e fletarrestit.
Donald Trump vendosi sanksione ndaj GJNP-së muajin e kaluar, duke e kritikuar si “të pabazë” fletarrestin për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Në aktakuzë thuhet:
Pretendohet se Netanyahu është përgjegjës për krim lufte, përkatësisht përdorimin e urisë si metodë lufte e qëllimshëm ka drejtuar një sulm kundër popullatës civile, si dhe për krime lufte të vrasjes, përndjekjes e akteve të tjera çnjerëzore, që nga 8 tetori 2023 e deri më 20 maj 2024.
GJNP-ja nuk mund të arrestojë askënd, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e gjykatës, Statutin e Romës, që të zbatojnë fletarrestet.
Nuk iu takon shteteve që të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme aspektin ligjor të vendimeve të gjykatës, u shpreh zëdhënësi i GJNP-së, Fadi El-Abdallah për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, shtetet kanë detyrim ligjor që të zbatojnë vendimet e gjykatës. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga dy avokatë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.