Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç i cilësoi “persekutim të hapur politik”, fletarrestet e lëshuara nga autoritetet në Kosovë lidhur me vendosjen e barrikadave në veri, më 2022-shin. Në mesin e 11 personave është edhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Po ashtu kërkohet nga Kosova për sulmin e armatosur më 2023-shin në Banjskë të Zveçanit.
Gjuriç u shpreh se këto fletarreste janë “të pabazuara” dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratën e përbashkët të Bashkimit Europian e Departamentit amerikan të Shtetit, të publikuar në dhjetor 2022. Kryediplomati serb tha se në bazë të kësaj deklarate, barrikadat ishin hequr pasi morën “garanci ndërkombëtare se nuk do të kishte masa represive ndaj pjesëmarrësve”.
Me këtë veprim, Prishtina minon drejtpërdrejtë besueshmërinë e Bashkimit Europian si ndërmjetësues dhe shkel brutalisht frymën e uljes së tensioneve që ishte vendosur.
Gjuriç i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-ve e BE-së, që të reagojnë urgjentisht dhe “të mbrojnë të drejtat themelore të popullit serb”. Ata që patën marrë pjesë në barrikadat e dhjetorit 2022 në veriun e Kosovës, kishin vendosur disa kushte për heqjen e tyre, si lirimi i serbëve të arrestuar dhe “tërheqja” e listave të supozuara me emra serbësh që sipas tyre, Kosova synonte t’i arrestonte.
Beogradi zyrtar pati deklaruar se kishte marrë njoftim zyrtar nga SHBA-të e BE-ja, ku thuhej se ishte përmbushur kërkesa e dytë e serbëve.
Morëm siguri nga autoritetet në Kosovë se nuk ekzistojnë lista me emra serbësh që do të arrestoheshin apo përndiqeshin për shkak të protestave paqësore apo vendosjes së barrikadave. Njëkohësisht, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme e nuk do të tolerohet.
Përveçse në dhjetor, barrikada u vendosën edhe më 31 korrik 2022, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit e Serbisë. Më 18 qershor 2025, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se është lëshuar fletarrest ndaj Radoiçiçit e 10 serbëve të tjerë.
Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra një polic i Kosovës. Në këmbimin e zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.